Lajme

OBSH: Sulm izraelit në një spital në Gaza, 4 të vrarë dhe 17 të plagosur


Katër persona kanë ndërruar jetë dhe 17 të tjerë janë plagosur në një sulm ajror izraelit dje me shënjestër një spital në Gaza.

Kështu ka bërë me dije kreu i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus.

Sulmi në spitalin Al-Aqsa u dëshmua nga një ekip i Organizatës Botërore të Shëndetësisë i dërguar atje për të vlerësuar nevojat për Gazën veriore, sipas tij.

Sakaq, ushtria izraelite ka mohuar që spitali të ishte dëmtuar.

“Një ekip i OBSH-së ishte në një mision humanitar në spitalin Al-Aqsa në Gaza, kur një tendë brenda kompleksit spitalor u godit nga një sulm ajror izraelit”, ka thënë shefi i OBSH-së.

Ai ndërkohë nuk ka dhënë detaje për viktimat.

Tedros sakaq ka përsëritur apelin e tij që pacientët, punonjësit e shëndetësisë dhe punonjësit humanitarë të mbrohen gjatë konfliktit dhe që sulmet ndaj spitaleve të ndalen.

“Sulmet e vazhdueshme dhe militarizimi i spitaleve duhet të marrin fund. E drejta ndërkombëtare humanitare duhet të respektohet”.

Tedros po ashtu u ka kërkuar të gjitha palëve në konflikt të respektojnë rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së që bën thirrje për armëpushim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore