Kosova

“Ulet niveli i rrezikshmërisë” – Njësia Speciale e Policisë largohet nga Banjska


Tetë ditë pas vrasjes së rreshterit Afrim Bunjaku në Banjskë të Zveçanit nga disa terroristë serbë që kishin hyrë nga Serbia në Kosovë të armatosur rëndë, Njësia Speciale e Policisë së Kosovës është larguar nga ky fshat dhe aty janë vendosur Njësiti për Ndërhyrje të Shpejtë.

Lajmin e ka konfirmuar për Albanian Post, zëvendëskomandanti i drejtorisë rajonale të Policisë në Mitrovicën e Veriut, Veton Elshani.

“Ata u zëvendësuan nga një njësi tjetër. Kjo është bërë për shkak të nivelit më të ulët të rrezikshmërisë, tha Elshani, duke shtuar se tashmë është kontrolluar e gjithë zona që të mos ketë rrezik për mjete shpërthyese.

Ai është shprehur i bindur se zona në fjalë po i kthehet gradualisht normalitetit.

“Rrugët po pastrohen dhe shpresojmë që mos të ketë më incidente”, theksoi Elshani.

Një grup i armatosur, që sipas autoriteteve përbëhet prej rreth 30 personash, sulmuan Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator, duke lënë të vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.

Ministri i Punëve të Brendshëm, Xhelal Sveçla, të dielën në një konferencë për media tha se vendi i tij ka mbledhur prova që dëshmojnë se Serbia u përpoq ta aneksojë Veriun e Kosovës dhe se sulmuesit u përgatitën për një kohë të gjatë në bazat ushtarake të ushtrisë serbe brenda Serbisë.

Xhelal Sveçla

“Serbia u mundua vazhdimisht të thotë se nuk ka të bëjë asgjë më këtë sulm, por faktet që do të publikohen dëshmojnë që përgatitjet, trajnimet dhe ushtrimet e këtij grupi u kryen në bazën e trajnimeve ushtarake afër Jagodinës si dhe në Kopaunik”.

“Këto pamje u siguruan nga dronët e grupit terrorist të cilët i kemi konfiskuar”, tha ai.

Ndërsa drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, theksoi se në bazë të pamjeve të siguruara kuptohet se grupi kishte ushtruar në hapësirën e Hotel Greyt në Kopaonik që është pronë e kriminelit Millan Radoieçiç.

“Bazuar në të dhënat e siguruara, rezulton se qendra e grupit terrorist ishte Kopaoniku, përkatësisht hapësira që është pronë e Milan Radoiçiçit. Ushtrimet ushtarake janë mbajtur në një prej poligonet më të mëdha ushtarake të Serbisë “Pasuljanske Livade”, së paku 4 ditë para sulmit në Banjskë”, theksoi Hoxha.

Të premten, Millan Radoiçiçi e mori përgjegjësinë për këtë sulm, dhe dha dorëheqje nga posti i nënkryetarit të Listës Serbe partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, e cila e ka mbështetjen e Qeverisë serbe.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore