Lajme

Njerëzit nën urdhrat e ndalimit për dhunën në familje mund të mbajnë armë, vendos një gjykatë amerikane


Një ligj federal që ndalon njerëzit që i nënshtrohen urdhrave të ndalimit për dhunën në familje të mbajnë armë zjarri është jo-kushtetues.

Kështu ka vendosur në një vendim të fundit një gjykatë apeli në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Vendimi është fitorja më e fundit për avokatët e të drejtave të armëve që nga një vendim i Gjykatës së Lartë qershorin e kaluar që u jepte një të drejtë të gjerë njerëzve për të mbajtur armë zjarri jashtë shtëpisë.

Ai vendim njoftoi një test të ri për vlerësimin e ligjeve të armëve të zjarrit, duke thënë se kufizimet duhet të jenë “në përputhje me traditën historike të këtij kombi të rregullimit të armëve të zjarrit” dhe jo thjesht të çojnë përpara një interes të rëndësishëm qeveritar.

Në vendimin e fundit, gjykatësi Cory Wilson ka thënë se ndalimi i personave nën dhunë në familje, duke kufizuar urdhrat e mbajtjes së armëve të zjarrit “mishëron qëllime të politikave të dobishme që synojnë të mbrojnë njerëzit e cenueshëm në shoqërinë tonë”.

Sakaq, gjykata hodhi poshtë pranimin e fajësisë dhe dënimin me gjashtë vjet burg për Zackey Rahimi, i cili pranoi se kishte armë të gjetura në shtëpinë e tij në Kennedale, pasi prokurorët thanë se ai mori pjesë në pesë të shtëna në dhjetor 2020 dhe janar 2021.

Rahimi kishte qenë nën një masë ndalimi që nga shkurti i vitit 2020, pas sulmit të supozuar ndaj një ish-të dashurës së tij.

Prokurori i Përgjithshëm i SHBA-ve, Merrick Garland, në një deklaratë me shkrim nuk u pajtua me vendimin duke thënë se administrata e presidentit Joe Biden do të apelonte.

“Pavarësisht nëse analizohet përmes lenteve të precedentit të Gjykatës së Lartë, ose tekstit, historisë dhe traditës së Amendamentit të Dytë, ai statut është kushtetues”, ka thënë Garland.

“Rrjedhimisht, Departamenti do të kërkojë rishikim të mëtejshëm të vendimit të kundërt”, ka shtuar ai.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore