Kosova

Një ditë pas kritikave të O’Brien Kurti i thurë lavde qeverisë së tij për “punë” e “shumë suksese”


Foto: Albanain Post

I vetëkënaqur u shfaqë në mbledhjen 188 të Qeverisë së Kosovës, kryeministri Albin Kurti, teksa pati vetëm lëvdata “për punën” e qeverisjes së tij gjatë tri viteve – ndonëse vendi që e udhëheqë është nën sanksione të Bashkimit Evropian, kurse vetëm një ditë më parë Ndihmës-Sekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, e ka cilësuar qeverisjen e tij si të “paaftë”.

Para ministrave, Kurti e listoi si “sukses” luftimin e krimit dhe korrupsionit, ndryshe nga raportet e Departamentit Amerikan të Shtetit dhe atij të Progresit të dy viteve të fundit ku thuhej se ka korrupsion serioz qeveritar dhe mos-shtrirje të autoritetit të Qeverisë në Veri, ndonëse me pompozitet kryeqeveritari kosovar tha se “ligjshmëria po shtrihet në çdo cep”.

Në fjalimin e tij shtatë-minutësh, kreu i Qeverisë, duke aluduar në opozitën, ka theksuar se po përpiqen t’i ndalin reformat në ekonomi dhe drejtësi, edhe pse në tri vjet qeverisje në mandatin katër vjeçar, qeveria e udhëhequr nga ai e ka shkelur – plotë – pesë herë Kushtetutën edhe pse sa ishte në opozitë, ishte mjaft i zëshëm në sulmet dhe denigrimin e atyre personave që Kushtetuesja vendoste kundër vendimeve të tyre.

Ai u mburrë edhe me shtimin e buxhetit për Forcën e Sigurisë së Kosovës, derisa ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, në paraqitjen e raportit vjetor të punës për vitin 2023 në Komisionin për Siguri gjatë kësaj jave, ka bërë të ditur se mbi 200 pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), janë larguar.

Përveç krekosjes me suksese, Kurti s’e përmendi si “dështim” pranimin për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicës Serbe, që parashihet në kuadër të Marrëveshjes së Brukselit/Ohrit.

Ndërkaq vetëm tri vjet nën petkun e shefit të ekzekutivit i mjaftuan Kurtit që t’i dalë në opozitë vetës së tij të dikurshme duke u bërë kryeministri i parë i cili pranon një draft-statut për këtë mekanizëm, ndonëse disa herë Kurti dhe zëvendësi i tij Besnik Bislimi e akuzuan të  dërguarin e posaçëm të BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, se është pozicionuar “kundër Kosovës”.

Pikërisht në tre vjetorin e Qeverisë Kurti, Bislimi ka vazhduar me kritika ndaj Lajçak-ut të cilin e ka akuzuar për qasje “jo-neutrale në procesin e normalizimit”.

Bislimi ka reaguar pasi kryediplomati sllovak të martën në një postim shkroi për një takim me përfaqësues të Konventës Kombëtare për Bashkimin Evropian (NCEU), por nuk tregoi se ishte NCEU e Serbisë.

Ndryshe, më 23 mars të vitit 2021 Kurti u zgjodh kryeministër nga 67 deputetët e Kuvendit të Kosovës. Kurti po mban postin e kryeministërit për herë të dytë, pasi në shkurtin e vitit 2020 ishte zgjedhur për herë të parë në këtë post.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore