Lajme

Një delegacion i liderëve të Hamasit merr pjesë në bisedimet e Egjiptit


Një delegacion i liderëve të nivelit të lartë të Hamasit do të vizitojë Egjiptin për bisedime që synojnë t’i japin fund luftës në Gaza.

Këtë teksa ushtria izraelite shkon më tej në qendër dhe në jug të Rripit të Gazës, duke zhvendosur dhjetëra mijëra njerëz.

Zyra humanitare e OKB-së ka bërë me dije se gjatë ditëve të fundit rreth 100 mijë njerëz kishin mbërritur në Rafah, qyteti më jugor i Gazës në kufi me Egjiptin, pas një ofensive të re tokësore dhe ajrore intensive rreth qytetit qendror të Deir al-Balah dhe qyteti jugor i Khan Younis.

Zonat ishin përcaktuar më parë nga Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) si “zona të sigurta” ku civilët mund të strehoheshin.

Shumë nga ata që mbërritën në Rafah ishin zhvendosur nga shtëpitë e tyre të paktën një herë.

12 javë të armiqësive në territorin e vogël bregdetar, të shkaktuara nga sulmi i paprecedentë i Hamasit në Izrael më 7 tetor, në të cilin u vranë 1 mijë e 140 njerëz dhe deri në 250 të tjerë u morën peng, kanë shkatërruar një pjesë të madhe të territorit bregdetar që është vetëm 25 milje i gjatë dhe 4-7 milje e gjerë.

Rreth 21 mijë njerëz janë vrarë dhe thuajse e gjithë popullsia 2.3 milionëshe e Gazës janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

Bombardimet izraelite të zonës rreth spitalit al-Amal në Khan Younis kanë vrarë 41 njerëz gjatë dy ditëve të fundit, ka njoftuar Shoqata e Gjysmëhënës së Kuqe Palestineze.

Agjencitë e ndihmave kanë thënë se ndihma humanitare që po arrin atje është e vështirë për t’u shpërndarë për shkak të luftimeve dhe është një pjesë e vogël e asaj që nevojitet që popullsia të mbijetojë dimrin.

UNWRA, agjencia e OKB-së për refugjatët palestinezë, ka bërë me dije se një autokolonë ndihmash ishte vënë nën zjarr nga ushtria izraelite një ditë më parë, pa shkaktuar viktima.

IDF ndërkaq ka thënë se po shqyrton incidentin.

Drejtori i UNRWA në Gaza, Tom White, ka thënë se “ushtarët izraelitë qëlluan në një autokolonë ndihmash ndërsa po kthehej nga Gaza veriore përgjatë një rruge të caktuar nga ushtria izraelite – udhëheqësi ynë ndërkombëtar i kolonës dhe ekipi i tij nuk u plagosën, por një automjet u dëmtua.”

Bisedimet e armëpushimit të ndërmjetësuara nga Katari që çuan në një pauzë shtatë-ditore të armiqësive në fund të nëntorit dhe shkëmbimin e disa pengjeve dhe të burgosurve, nuk kanë bërë përparim që atëherë.

Luftimet në Gaza janë intensifikuar, me beteja të ashpra shtëpi më shtëpi në të gjithë qytetin e Gazës dhe sulme të pandërprera ajrore dhe avancim të tankeve izraelite në jug të lumit Gaza.

Lufta në përshkallëzim ka rritur tensionet në të gjithë rajonin, me milicitë në Lindjen e Mesme aleate me Iranin që nisin sulme ndaj Izraelit dhe instalimeve ushtarake amerikane.

Bisedimet në Kajro po zhvillohen për të diskutuar një propozim të ri për përfundimin e luftës.

Plani me tre faza i paraqitur nga Egjipti do të përfshinte një ndërprerje fillestare të armiqësive për të paktën një javë dhe lirimin e të gjithë pengjeve civilë izraelitë të mbetur të mbajtur në Gaza.

Më tej një javë në të cilën ushtaret femra izraelite do të liroheshin në këmbim të të burgosurve palestinezë në burgjet izraelite.

Dhe një periudhë njëmujore negociatash për lirimin e ushtarëve meshkuj në këmbim të tërheqjes izraelite.

Propozimi parashikon një qeveri palestineze teknokratësh, pas bisedimeve që përfshijnë “të gjitha fraksionet palestineze”, e cila do të ishte përgjegjëse për qeverisjen dhe rindërtimin në Gazën e pasluftës.

Hamasi ka refuzuar më parë planin egjiptian.

Por një zyrtar i grupit, duke folur në kushte anonimiteti, ka thënë se delegacioni do të “japë përgjigjen e fraksioneve palestineze, duke përfshirë disa vëzhgime” në lidhje me propozimin, i cili u ishte bërë kohët e fundit zyrtarëve nga Hamasi dhe grupi më i vogël i armatosur aleat, Xhihadi Islamik Palestinez.

Hamasi do të kërkonte “garanci për një tërheqje të plotë ushtarake izraelite” nga Gaza, sipas zyrtarit.

Izraeli ka deklaruar se kishte dhënë miratimin paraprak për një korridor të ndihmës detare midis Gazës dhe ishullit mesdhetar të Qipros, por zyrtarët nuk komentuan angazhimin e fundit palestinez me planin e paqes egjiptian.

Pavarësisht thirrjeve ndërkombëtare për një armëpushim, duke përfshirë presionin në rritje nga aleati më i afërt i Izraelit, SHBA, për të ulur luftimet, zyrtarët izraelitë janë zotuar se lufta do të vazhdojë derisa të arrijë “fitoren e plotë” mbi Hamasin, dhe se mund të zgjasë edhe disa muaj të tjerë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore