Kosova

Nisin takimet e dialogut në Bruksel


Ilustrim

Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë – Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviç – janë sot në Bruksel për një raund të ri negociatash në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve nën kujdesin e Bashkimit Evropian (BE), ndërsa Emisari Special i BE-së për dialogun Prishtinë-Beograd, Mirosllav Lajçak, synon progres në zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më tash.

Radio Televizioni i Serbisë (RTS) ka raportuar para pak çastesh se takimi biletaral ndërmjet Lajçakut dhe Petkoviçit ka filluar rreth orës 11:30 në një prej zyrave të BE-së në Bruksel. Lajçaku raportohet se ka zhvilluar takimin e parë të rrethit të ri të dialogut me delegacionin kosovar të udhëhequr nga Bislimi. Megjithatë, nuk është ende e qartë nëse do të ketë takime trelaterale.

E takimet e mbajtura së fundi në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nën ndërmjetësimin e BE-së, qoftë në këtë nivel, apo në nivel të lartë, nuk kanë prodhuar rezultate në terren. Për herë të fundit, delegacionet janë takuar në fillim të korrikut, por pa ndonjë rezultat. Gjithashtu, liderët e Kosovës dhe Serbisë nuk janë takuar në kuadër të dialogut për më shumë se një vit.

Autoritetet e Kosovës që nga fillimi i vitit 2024 kanë mbyllur disa institucione paralele të Serbisë, krahas largimit të dinarit. Por, lëvizjet janë kundërshtuar nga serbët lokalë, zyrtarët serbë dhe një pjesë e komunitetit ndërkombëtar. BE-ja pothuajse vazhdimisht e ka qortuar ekzekutivin kosovar për çfarëdo vendimi që potencialisht tensionon situatën në veriun e trazuar të Kosovës.

Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve në fillim të vitit të kaluar, fillimisht në Bruksel, pastaj në Ohër. Por, përkundër insistimit të diplomatëve evropianë se Marrëveshja e Brukselit dhe Aneksi i Ohrit janë ligjërisht obligative për të dyja palët, ata nuk kanë arritur t’i bindin liderët që të fillojnë implementimin e tyre.

Raundi i ri i negociatave në Bruksel: Një rast për progres në normalizim apo një gozhdë më tepër në “arkivolin” e dialogut?

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore