Kosova

Nis vaksinimi masiv, synohet imunizimi i 60 për qind të popullatës


Minitri i Shëndetësië, Arben Vitia

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, duke folur për nisjen e vaksinimit masiv të qytetarëve, ka thënë se deri në fund të vitit parashihet që Kosova t’i ketë në dispozicion rreth 2 milionë vaksina.

“Ne kemi siguruar një kontratë me kompaninë Pfizer përmbi 1.2 milionë doza deri në fund të vitit. Së bashku me dozat tjera, të cilat presim që të vijnë nga COVAX dhe miqtë tanë ndërkombëtarë deri në fund të vitit do të kemi në dispozicion dikur rreth 2 milionë doza të vaksinave anti-COVID-19, dhe nëse e bëjmë një llogaritje të kemi mundësinë që brenda muajit, dhe çdo muaj të vaksinojmë 320 mijë qytetarë”, ka deklaruar ai.

Vitia ka treguar se, gjatë këtij muaji, nga COVAX priten të vijnë diku rreth 40 mijë doza.

Ministri ka vizituar sallën “1 Tetori”, në Prishtinë për të parë nga afër fillimin e procesit të vaksinimit masiv për të imunizuar qytetarëve kundër COVID-19.

Ndër të tjera, ministri Vitia ka folur edhe për bashkëpunimin me komunat dhe hapësirat e reja për vaksinim.

“Ministria e Shëndetësisë, në bashkëpunim me komunat, ka krijuar hapësirat të reja për vaksinim, ka shtuar kapacitetet njerëzore duke organizuar 279 ekipe të vaksinimit në nivel vendi nga 89 sa ishin deri më tani dhe gjithashtu ka ngritur infrastrukturën e nevojshme”, ka thënë ai.

Ky imunizim i qytetarëve do të ndodhë në tri faza.

“Kemi siguruar vaksina të mjaftueshme dhe kemi zhvilluar modulin e vaksinimit dhe riorganizuar në aspektet logjistike me qëllim që vaksinimi në masë të fillojë dhe qytetarët të vaksinohen sipas kategorive të përcaktuar në planit shtetëror të vaksinimit kundër COVID-19 dhe kategorive të përcaktuar në tri faza”, u shpreh ai.

Vitia po ashtu ka thënë se “mund të ndodhë që një muaj do të kemi 200 mijë të vaksinuar ashtu siç mund të ndodhë që një muaj mund të kem edhe 500 mijë të vaksinuar”.

“Aktualisht janë duke u vaksinuar kategoria e personave mbi 65 vjeç dhe personat me sëmundjet kronike pa dallime moshe”, u shpreh ai.

Pas vaksinimit të moshës së vjetër, radhën e kanë institucionet, përfaqësuesit e të cilëve janë më të rrezikuar nga virusi.

“Do të vaksinohen edhe mësimdhënësit, Forcat e Sigurisë të ndërlidhura drejtëpërdrejt me menaxhimin e COVID-19, për të vazhduar edhe me fazën e tretë me grup moshat nën 65 vjeç, punëtorët e sektorit publik dhe kategoritë e tjera të popullatës”, ka thënë Vitia.

Vitia u shpreh se Ministria e Shëndetësisë, në bashkëpunim me institucionet shëndetësore të kujdesit parësor shëndetësor dhe partnerët e tjerë, i kanë bërë përgatitjet për fillimin dhe realizimin e planit të veprimit për vaksinimin e qytetarëve në masë me vaksinën kundër COVID-19.

Ai ka thënë se “tanimë kemi kaluar shifrën 100 mijë të vaksinuarve dhe objektivi ynë mbetet vaksinimi i 60% të qytetarëve”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore