Shqipëria

Protestë-marshimi për vrasjen e Egli Progës, thirrje për drejtësi


Ka nisur që prej orës 19:30 marshimi në Sheshin Skënderbej – ku protestuesit janë drejtuar më pas drejt Kryeministrisë – për vrasjen e Egli Progës në Pogradec.

Dhjetëra qytetarë janë mbledhur me pankarta në duar, për të protestuar për vrasjen e tij.

Protestuesit mbajnë në duar foton e Egli Progës, por edhe pankarta të ndryshme si “Kërkojmë drejtësi”.

Sipas protestuesve, me vrasjen e tij ka rënë shteti. “Kur krimi vret, shteti hesht”, është thirrja e tyre.

Protestuesit kërkojnë drejtësi për Egli Progën, pasi dhunuesi i tij është i lirë dhe Prokuroria i ndërroi akuzën në “vrasje nga pakujdesia”.

Në protestën e drejtuar nga aktivisti Adriatik Lapaj, janë të pranishëm edhe motra e të ndjerit, si dhe familjarë të tij.

Sipas motrës së tij, kjo ngjarje e rëndë nuk mund të kalohet si një ngjarje statistike kriminale në një qytet të vogël. Duhet drejtësi.

Ajo ka thënë se 42-vjeçari u qëllua nga katër barbarë, ku një prej të cilëve u dorëzua në mënyrë të kontrolluar, ndërsa tre të tjerët janë lënë të lirë dhe “kanë nëntë ditë që pinë raki”.

Lapaj ndërkohë ka thënë se problemi qëndron te sistemi, te “sistemi i gangove”, sipas tij, që është i lidhur me bandat.

Kjo duhet të ndryshojë me reagim, ka theksuar ai.

Sipas tij, është koha për drejtësi dhe nuk duhen lejuar që ngjarje të tilla të rënda të ndodhin sërish. “Hak pa marrë e gjak pa larë nuk ka”.

“Prokuroria, gjykata dhe policia ta dëgjojnë mirë. Egli u vra nga katër kriminelë në bashkëpunim me njëri-tjetrin. Unë nuk akuzoj pa bazë vetëm sepse më ka vdekur vëllai me të cilin u rrita. I thashë prokurores se nuk mund ta bëjë drejtësinë e vëllait tim. Ai u qëllua nga katër barbarë”.

Dhuna e ushtruar ndaj Egli Progës bëri që ai të ndërrojë jetë. I pandehuri kryesor Denis Meçe ndodhet në burg, nën akuzën e vrasjes nga pakujdesia.

Ndërkohë, familja kërkon drejtësi dhe kërkon që të zbardhet e vërteta e kësaj vrasje.

Vrasja e 42-vjeçarit shkaktoi përplasje institucionale mes Policisë dhe Prokurorisë.

Teksa Policia e referoi ngjarjen si vrasje me dashje, Prokurorja e Korçës e zbuti akuzën në “vrasje nga pakujdesia”.

Çfarë tha Policia e Shtetit

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, në një konferencë për mediat ka deklaruar se vrasja e 42-vjeçarit, Egli Proga nga Pogradeci nuk është tentuar të fshihet.

“Ka vijuar dezinformimi i publikut lidhur me ngjarjen në Pogradec ku si pasojë e konflikti humbi jetën një 42-vjeçar”.

Për Rrumbullakun, aludimi se është tentuar të fshihet ngjarja nga shefi i Komisariatit të Policisë Pogradec “është i pabazë, i bazuar në asnjë dyshim të arsyeshëm dhe si i tillë është skandaloz”.

“Në asnjë moment dhe në asnjë rrethanë asnjë punonjësit policie s’ka tentuar të fshehë ngjarjen. Ajo  është vlerësuar maksimalisht. Nga policia është shkuar menjëherë në vendngjarje, është bërë njoftimi i spitalit, është ngritur grupi hetimor, janë sekuestruar kamerat dhe janë shoqëruar personat e pranishëm.

Sipas tij, baltosja në këtë rast është jo thjeshtë e pabazuar por është e dënuar moralisht dhe ligjshmërisht.

“Dua tu bëj me dije se do të ndërmerren hapa ligjore për të bërë deri në fund transparencë mbi shkaqet e këtij dezinformimi. Ngjarjet janë të qarta si drita e diellit. Ne e kemi referuar si vrasje me dashje”, tha Rrumbullaku.

Rrumbullaku theksoi se është shkuar në vend ngjarje, janë sekuestruar kamerat e ambienteve përreth, janë shoqëruar disa persona, janë kryer veprimet e hetimeve.

Sipas tij, si rezultat i veprimeve profesionale të kryera nga grupi hetimor, u bë e mundur zbardhja dhe dokumentimi i ngjarjes.

“Është identifikuar autori dhe arrestuar tre të tjerë për moskallëzim krimi. Drejtoria e Policisë Korçë ka dhënë njoftimin e parë zyrtarë, që për arsye të ndryshme u deformua dhe u mohua”.

Drejtori i Policisë tha se materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Korçës.

“Nëse Prokuroria ka kërkuar një masë tjetër, nga ajo për të cilën Policia ka kërkuar arrestimin e shtetasve, kjo është një çështje për të cilën as nuk na takon dhe as nuk kemi tagrin ta komentojmë”.

Por, tha Rrumbullaku, të pretendohet se Policia e Shtetit tentoi të fshehë ngjarjen kur ia kemi dorëzuar autorin e krimit drejtësisë bë kohë rekord dhe me motivin vrasjen me dashje është e patolerueshme dhe e pajustifikueshme.

Çfarë tha Urgjenca?

Drejtori i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj në një konferencë për mediat tha se urgjenca shkoi për 7 minuta në vendngjarje.

Ai shtoi se i është dhënë ndihma e parë në vendngjarje dhe në ambulancë.

Sipas tij, “e gjitha në total situata është menaxhuar me kod të kuq traumatik për 20 minuta”.

Lajm në përditësim…

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore