Kosova

Nis ekzekutimi i pagesave për gratë lehona për muajin tetor


Ilustrim

Të mërkurën e 10 nëntorit ka filluar ekzekutimi i pagesave për mbi dy mijë gra lehona të cilat kanë përfituar pas aplikimit gjatë muajit tetor të vitit 2021, nga gjithsejtë mbi katër mijë përfituese.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Financave, pjesa e dytë e pagesave do të ekzekutohet të enjten e 11 nëntorit.

“Është ekzekutuar pagesa për dy mijë e 230 lehona përfituese që kanë aplikuar gjatë muajit tetor. Ndërsa nesër do të ekzekutohet pagesa e dytë edhe për lehonat që kanë aplikuar më herët, dhe tashmë janë në sistem. Gjithsejtë, mbi katër mijë e 400 përfituese”, thuhet në njoftim.

Ilustrim

Sipas njoftimit, njëkohësisht, është ekzekutuar edhe pagesa retroaktive për shtesat për fëmijë, “për 809 përfituese që muajin e kaluar i kishin llogaritë bankare jo-valide”.

“Këtë muaj kemi pasur fluks të madh aplikimesh dhe na ka marrë më shumë kohë validimi e procesimi i pagesave – mbi 90 mijë pagesa të procesuara gjithsejtë, pa llogaritur masat tjera të pakos”, vijon njoftimi.

Ndërkaq, shtatë milionë euro janë ndarë nga Qeveria e Kosovës për lehonat dhe shtesat e fëmijëve më 25 gusht të këtij viti.

Ky vendim është ndërmarrë në mbledhjen e Qeverisë ku gjithashtu janë marrë edhe një sërë vendimesh tjera, duke kaluar disa projekt-ligje të rëndësishme të cilat kanë implikime shuma të larta buxhetore.

Ministri i Financave, Hekuran Murati

Po ashtu, vendimi parasheh përfshirjen edhe të lehonave të punësuara krahas atyre të papuna për mbështetje financiare që do të ofrohet nga Qeveria, me qëllim të fuqizimit të mëtutjeshëm të grave në tregun e punës.

Këto mjete janë siguruar nga emetimi i “Bonove të Diasporës”, instrument financiar që e kanalizon kapitalin e diasporës drejt investimit për ndërtimi dhe zhvillimi të ekonomisë së vendit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore