Shqipëria

Ngrihet Komitet i Përbashkët Konsultativ për integrimin e Shqipërisë në BE


Krijimi i një Komiteti të Përbashkët Konsultativ.

Kjo ishte kryefjala e konferencës së përbashkët midis Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama dhe presidentit të Komitetit Ekonomik dhe Social Evropian, Oliver Röpke ku folën për hapat e mëtejshëm drejt Bashkimit Evropian.

Kreu i qeverisë shqiptare tha se integrimi nuk është vetëm çështje që i përket qeverive, por edhe qytetarëve, shoqërisë civile.

“Jam i kënaqur shumë që jam këtu, pas vizitës tuaj në Tiranë. Dua të ju falënderoj për mirëseardhjen tuaj. Si gjithmonë kemi pasur një diskutim mjaft të mirë dhe të këndshëm. Ne mendojmë njësoj për një sërë çështjesh”.

Rama theksoi se”jam shumë i emocionuar për mbështetjen që ka dhënë Ropke dhe ekipi i tij dhe kjo na jep mundësinë që t’i tregojmë qytetarëve tanë se sa e rëndësishme është që rruga drejt BE”.

“Është një rrugë ku duhet përfshirë gjithë shoqëria jo vetëm disa aktorë. Ne presim që me këtë përfshirje dhe konsultime do të shohim që do të jetë një situatë më thelbësore dhe ndërveprimi brenda shoqërisë do të jetë më i rëndësishëm. Synimi është të forcojmë bashkëpunimin tonë që të tregojmë se jemi të gatshëm për të përshpejtuar anëtarësimin në BE”, tha kryeministri i vendit.

Ai ndër të tjera tha se Shqipëria dëshiron të ketë ekipin e saj në Parlamentin Evropian, “për t’u përgatitur për atë që e pret, siç është integrimi në BE”.

“Të dyja palët po buzëqeshin, askush nuk është nervoz dhe të gjithë janë të kënaqur për punën që është bërë. Diçka po ndryshon, kjo në sajë të vullnetit të mirë të Brukselit. Kemi planin e rritjes dhe po bëjmë diskutimin për integrimin gradual në BE. Ne po po avokojmë të jemi edhe në PE, sigurisht jo me eurodeputetë që do të kenë të drejtën e votës, por me ekipe që do të përgatiten për atë që na pret”.

Sakaq Röpke tha se “nuk mund të zhgënjemë aspiratat e qytetarëve shqiptarë’.

Edhe Presidenti i Komitetit Ekonomik dhe Social Evropian, ka folur për krijimin e Komitetit të Përbashkët Konsultativ për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Një projekt pilot, i cili do të vijojë deri në fund të vitit, por që pritet “të zgjatet deri në fund të vitit, me synimin për ta kthyer në të përhershëm”.

“Ne jemi gati, bazën ligjore e kemi, pritet të caktohen me meritokraci anëtarët dhe mund të vazhdojmë më pas me hapat e tjerë. Të vijojmë menjëherë me këtë hap”, ka thënë ai.

Ai ka treguar se nga takimet me sindikatat dhe anëtarët e shoqërisë civile është bërë e ditur se “duhet mbështetja jonë madhore për zgjerimin”, për anëtarësimin e Shqipërisë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE.

“Ne jemi avokatët e shoqërisë civile, Ne nuk mund të zhgënjemë aspiratat e qytetarëve shqiptarë”.

“Ne jemi avokatët e shoqërisë civile, Ne nuk mund të zhgënjemë aspiratat  e qytetarëve shqiptarë”.

Mesdita e 19 shtatorit, pritet t’i gjejë liderët e Ballkanit Perëndimor në Bruksel për një drekë pune.

Mikpritësja është Presidentja e Komisionit Evropian (KE), Ursula von der Leyen.

Fokusi i takimit do të orientohet rreth marrëdhënieve dhe bashkëpunimit mes partnerëve në kontekstin e Planit të Rritjes.

Prania e dy kryeministrave të Shqipërisë dhe Kosovës, Edi Rama dhe Albin Kurti është konfirmuar për Albanian Post nga zyrat respektive për media.

Zëdhënësja e KE-së, Ana Pisonero pohoi për AP-në se ftesat u janë dërguar edhe kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski dhe kryeministrit të Malit të Zi, Milojko Spajiç.

Në Bruksel, duhet të jenë të pranishëm edhe Kryetarja e Këshillit të Ministrave të Bosnjë-Hercegovinës, Borjana Kristo dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, shtoi Pisonero.

Bosnjë dhe Hercegovina ishte vendi i fundit që dorëzoi zyrtarisht dy ditë më parë draftin e saj të axhendës së reformave, mësoi AP-ja.

Këto axhenda do të jenë parakusht për disbursimin e fondeve të Planit të Rritjes për vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Komisioni (Evropian) aktualisht është duke finalizuar vlerësimin e tij mbi axhendat e reformave të partnerëve tanë të Ballkanit Perëndimor, duke mbuluar si reformat në fushën themelore ashtu edhe reformat socio-ekonomike, duke përfshirë ato të Bosnjës dhe Hercegovinës, draftin e të cilës e kemi marrë sot”, deklaroi një zëdhënës i KE-së për Albanian Post.

Zyrtari theksoi se pasi të finalizohet vlerësimi, Komisioni do të konsultohet me shtetet anëtare për axhendat e reformës në Komitetin IPA.

Instrumenti për Asistencën e Para-Aderimit (IPA) është mjeti me të cilin BE-ja ka mbështetur reformat në rajonin e zgjerimit me asistencë financiare dhe teknike që nga viti 2007.

Më pas, në rast të një opinioni pozitiv të lëshuar nga Komisioni, KE-ja do të miratojë Axhendat e Reformës të paraqitura nga përfituesit, sqaroi më tej zyrtari evropian.

“Synimi është që të jemi në gjendje të disbursojmë parafinancimin sa më shpejt të jetë e mundur për të nisur reformat pasi të jenë finalizuar procedurat, duke përfshirë marrëveshjet përkatëse të lehtësirave dhe kredisë me secilin partner”, ravijëzoi në përmbyllje zëdhënësi i Komisionit Evropian.

Ndryshues loje

Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor është një instrument i ri që do të mbështesë reformat e lidhura me BE-në dhe rritjen ekonomike në rajon.

Ai do të mbulojë periudhën nga viti 2024 deri në vitin 2027 dhe pritet të ofrojë deri në 2 miliardë euro grante dhe 4 miliardë euro kredi për gjashtë partnerët e BE-së në Ballkanin Perëndimor.

Këstet e para pritet të disbursohen këtë vjeshtë, duke ofruar një mundësi të vlefshme për vendet që të forcojnë ekonomitë e tyre dhe që të përmirësojnë përafrimin me politikat evropiane.

Parakushtet për mbështetjen në kuadër të Facilitetit do të jenë që “përfituesit të përmirësojnë, mbështesin dhe respektojnë”, ndër të tjera, mekanizmat efektivë demokratikë.

Këto, duke përfshirë funksionimin e një sistemi parlamentar shumëpartiak, mbrojtjen e mediave të lira, luftën kundër dezinformimit si dhe shtetit të së drejtës.

Parlamenti Evropian shtoi gjithashtu një parakusht për “përafrimin me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së, duke përfshirë miratimin e masave kufizuese kundër Rusisë”.

Për të marrë ndonjë mbështetje në kuadër të Lehtësimit, çdo përfitues i ka paraqitur Komisionit një Axhendë Reforme për kohëzgjatjen e Instrumentit.

Sipas propozimit të KE-së, Axhendat e Reformës do të pasqyrojnë vlerësimet në Paketën më të fundit të Zgjerimit dhe Planin Ekonomik për Ballkanin Perëndimor.

Detaje e disbursimit

Pas dorëzimit të Axhendës së Reformës, një përfitues mund të kërkojë lirimin e një parafinancimi deri në 7 për qind të shumës totale të parashikuar nga Faciliteti.

Në vijim, fondet do të disbursohen dy herë në vit, nëse plotësohen kushtet e pagesës.

Ekspertët, megjithatë, nuk janë të sigurt se sa rreptësisht do të vlerësohet përmbushja e këtyre kushteve.

Përpara se të disbursojë ndonjë fond, Komisioni Evropian do të vlerësojë nëse një përfitues plotëson dy parakushte të përgjithshme.

Për Serbinë dhe Kosovën, ekziston një parakusht shtesë, që të “angazhohen në mënyrë konstruktive me progres të matshëm dhe rezultate të prekshme në normalizimin e marrëdhënieve të tyre”.

Gjithashtu, parakushtet e përgjithshme për disbursimin e mjeteve janë stabiliteti makro-financiar, menaxhimi i shëndoshë i financave publike, transparenca dhe mbikëqyrja e buxhetit.

Kur të plotësohen këto parakushte, Komisioni do të vlerësojë nëse një përfitues ka përmbushur masat specifike nga Axhenda e Reformës, për të cilat do të përcaktohen afatet dhe cilat do të jenë kushtet për lirimin e fondeve dy herë në vit.

Tek e fundit, ky plan ambicioz nuk siguron vetëm fonde: ai imponon një rishikim real të prioriteteve politike dhe ekonomike, duke e udhëhequr Ballkanin Perëndimor drejt një përafrimi më të ngushtë me Bashkimin Evropian.

Harmonizimi i politikave të jashtme është tashmë një imperativ, duke shënuar një hap vendimtar në përgatitjen e vendeve të rajonit për integrimin e tyre të ardhshëm në BE.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore