Kosova

Nga protestat deri tek padëgjueshmëria qytetare, Mustafi paralajmëron veprime kundër diskriminimit të Serbisë


Ragmi Mustafi

Ish-Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi, Ragmi Mustafi, në një prononcim për Albanian Post, ka paralajmëruar se për të kërkuar të drejtat e tyre dhe për të kundërshtuar diskriminimin e shtypjen sistematike të autoriteteve serbe ndaj shqiptarëve, do të ndërmarrin veprime nga protestat deri tek padëgjueshmëria qytetare.

“Përveç protestave, do të shohim edhe mundësitë për veprime të tjera, si angazhime tjera dhe kërkesa për mbikëqyrje dhe ndërhyrje nga organizatat ndërkombëtare për të garantuar që të drejtat e shqiptarëve në Serbi të mbrohen e deri tek padegjueshmeria qytetare”, ka thënë Mustafi për AP.

Shqiptarët që jetojnë në Serbi janë të shtypur sistematikisht nga autoritetet serbe. Madje, atyre nuk u lejohet as përdorimi i flamurit kombëtar.

Një nga çështjet që është ngritur në Senatin Amerikan, por edhe në Bashkimin Evropian, është pasivizimi i adresave që Serbia po ua bën shqiptarëve, posaçërisht në Bujanoc.

Për të kundërshtuar diskriminimin dhe shtypjen, më 12 gusht, shqiptarët në Serbi organizuan një protestë gjithëpopullore në Bujanoc, për identitet dhe dinjitet.

Por, vetëm dy ditë pas kësaj proteste, u shfaqën grafite anti-shqiptare në gjuhën serbe, si “vdekje shqiptarëve”, “Kosova është Serbi”, e të ngjashme.

Për Mustafin, ky nuk është një incident i izoluar, “por pjesë e një qasjeje të vazhdueshme dhe sistematike të urrejtjes ndaj komunitetit shqiptar në Luginën e Preshevës”.

“Kjo fushatë nuk vjen vetëm nga individë, por është inkurajuar në mënyrë të hapur nga përfaqësues të niveleve të ndryshme të pushtetit, duke përfshirë zyrtarë të lartë qeveritarë”, thekson këshilltari i Zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi.

Grafitet anti-shqiptare, ish-kreu i KKSH-së konsideron se janë një përpjekje për të frikësuar dhe përçuar mesazh të qartë të urrejtjes dhe përjashtimit.

“Ky është mesazh që synon të krijojë frikë dhe të demoralizojë përpjekjet për një bashkëjetesë dinjitoze me barazi e drejtësi”, shtoi.

Por, shqiptarët në Serbi nuk do të qëndrojnë indiferent ndaj këtyre kërcënimeve, por edhe ndaj shtypjes së vazhdueshme.

Reagimi i tyre, siç bën me dije Mustafi, do të jetë i vendosur dhe shumëplanësh.

“Do të ngremë zërin tonë në arenën ndërkombëtare, duke i bërë të qarta këto akte të urrejtjes dhe diskriminimit që vazhdojnë të ndodhin në mënyrë të përsëritur. Nuk do të lejojmë që këto incidente të kalojnë pa ndëshkim”.

Qasja do të jetë e balancuar, thekson politikani shqiptar nga Lugina, “duke ruajtur qetësinë dhe stabilitetin”, por shton se nuk do të hezitojnë që të përdorin çdo mjet të ligjshëm për të mbrojtur komunitetin shqiptar nga sulmet e vazhdueshme dhe të qëllimshme.

Ndryshe, deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, të hënën, ka njoftuar se ka nisur një letër në adresën e ambasadave të huaja në Beograd, ku ka kërkuar të dënohet gjuha e urrejtjes ndaj shqiptarëve, që nxitet nga disa zyrtarë qeveritarë, pas shfaqjes së grafiteve në Bujanoc.

Sipas regjistrimit të fundit të popullsisë në vitin 2022, shqiptarët janë pakica e katërt më e madhe kombëtare në Serbi, me më shumë se 61,000 qytetarë. Shumica e tyre janë në komunat në jug të Serbisë – Preshevë dhe Bujanoc.

Shqiptarët në Luginë të vendosur, vazhdojnë kundërshtimin e politikave diskriminuese të Serbisë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore