Kosova

Nga “Policia po instrumentalizohet” e deri te thirrja për Kurtin “që t’i ndalë veprimet e pakoordinuara” – mesazhet amerikane pas aksionit në Veri


Albin Kurti

Aksioni i Policisë së Kosovës të premten në Veri të vendit, ku u mbyllen pesë (5) objekte të komunave paralele serbe, bëri që Kosova përsëri të jetë në qendër të kritikave të ashpra nga partneri i saj strategjik më i fuqishëm, Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA).

Përmes zërit të tyre në Kosovë, ambasadës, SHBA-të kundërshtuan fuqishëm aksionin në Veri, madje theksuan se policia, të cilën thanë se e kanë ndihmuar të profesionalizohet, po instrumetalizohet nga Qeveria, e përmes James O’Brien-it i kërkuan kryeministrit Albin Kurti që t’i ndalë veprimet e pakoordinuara.

“Përderisa qeveria e Shteteve të Bashkuara është krenare që ka mbështetur themelimin dhe profesionalizimin e Policisë së Kosovës gjatë shumë viteve si pjesë e angazhimit tonë për të promovuar sigurinë dhe stabilitetin, instrumentalizimi i vazhdueshëm nga Qeveria i Policisë së Kosovës për të kryer veprime të pakoordinuara nuk është në përputhje me premtimet se do të ‘vazhdojë konsultimin dhe koordinimin me komunitetin ndërkombëtar’”, thuhet në reagim.

Përveç kësaj, ambasada e SHBA-ve në Kosovë pati mesazh edhe për Ministrinë e Punëve të Brendshme – që drejtohet nga Xhelal Sveçla – dhe vartësit e saj, nëse qeveria vazhdon me këso veprimesh.

“Veprimet e Qeverisë do të ndikojnë edhe në cilësinë dhe natyrën e bashkëpunimit tonë me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe elementët vartës të saj”, ishte paralajmërimi amerikan.

Misioni amerikan diplomatik në Prishtinë shtoi se qeveria e tyre, pas këtij aksioni, përsërit “shqetësimin dhe zhgënjimin” e saj me veprimet e vazhdueshme të pakoordinuara të ndërmarra nga Qeveria e Kosovës që, sipas tyre, “vazhdojnë të kenë një efekt të drejtpërdrejtë dhe negativ ndaj pjesëtarëve të komunitetit etnik serb dhe komuniteteve të tjera pakicë në Kosovë”.

Në reagim potencohet se ShBA ka përsëritur se bashkë me partnerët ndërkombëtarë në vazhdimësi i kanë kërkuar Qeverisë së Kosovës që ta ketë prioritet koordinimin me komunitetin ndërkombëtarë dhe të mos ndërmarrë veprime të njëanshme.

“Dështimi i Qeverisë së Kosovës që t’u përgjigjet këtyre kërkesave, reflekton një përkeqësim real dhe në rritje në partneritetin tonë”, nënvizuan.

Ashtu siç kanë theksuar më parë, nga ambasada amerikane ripërsëriten se veprimet e njëanshme të Qeverisë së Kosovës vendosin qytetarët e Kosovës dhe ushtarët e KFOR-it “në një rrezik më të madh, eskalojnë panevojshëm tensionet rajonale, dhe minojnë reputacionin e Kosovës si një partner i besueshëm ndërkombëtarë”.

Ndërsa, Ndihmës-Sekretari Amerikan i Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, James O’Brien ka kërkuar drejtpërdrejtë nga Albin Kurti që t’i ndalë veprimet e pakoordinuara që ndikojnë negativisht në partneritetin mes Kosovës dhe ShBA-ve.

Duke i dhënë mbështetje reagimit të ambasadës së SHBA-ve në Kosovë për këtë çështje, top-diplomati amerikan potencoi se ajo deklaratë e bëri të qartë se SHBA-ja është e shqetësuar “nga veprimet e vazhdueshme të pakoordinuara dhe provokuese të Qeverisë së Kosovës”.

“I bëjmë thirrje kryeministrit Kurti dhe Qeverisë së tij të konsultohen dhe koordinohen me partnerët ndërkombëtarë dhe të ndalë veprimet që ndikojnë negativisht në partneritetin tonë”, shkroi O’Brien në platformën X.

Përveç ShBA-ve, reagime kundërshtuese ka pasur edhe nga vendet e tjera partnere të Kosovës, përmes misioneve diplomatike të tyre në Prishtinë.

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Prishtinë, Jonathan Hargreaves, është shprehur i shqetësuar për aksionin e së premtes në Veri të Kosovës, ku u mbyllën pesë komuna paralele, duke thënë se veprime të tilla mund të nxisin tensione.

“Veprimet që ndikojnë thelbësisht në mirëqenien e serbëve të Kosovës dhe të komuniteteve të tjera joshumicë kërkojnë konsultim të kujdesshëm me miqtë e palëkundur të Kosovës dhe partnerët e sigurisë, në kontekstin e dialogut më të gjerë”, shkroi Hargreaves në Facebook.

“Veprimet e sotme në veri të Kosovës u kryen pa këtë dhe rrezikojnë të nxisin tensione dhe të prekin më të cenuarit”, ka shkruar ai.

Në këtë linjë kanë qenë edhe ambasadori i Gjermanisë, Jorn Rohde si dhe ai francez, Olivier Guerot.

Ata kanë shprehur shqetësimin e tyre për veprimet e institucioneve të Kosovës në Veri të vendit, të premten.

Sipas Rohdes, Kosova po krijon kriza të panevojshme.

“Njoftimi nuk është konsultim. Gjermania i bashkohet reagimit të Ambasadës Amerikane në shprehjen e shqetësimit dhe zhgënjimit mbi veprimet e pakoordinuara. Kjo duhet të ndryshojë”.

“Duam të heqim masat dhe të lëvizim përpara në integrimin rajonal dhe evropian të Kosovës. Jo më gjendje krize të panevojshme”, ka shkruar Rohde në rrjetin social ‘X’.

Kurse ambasadori francez, Olivier Guerot ka thënë se veprime të tilla s’janë të mirëpritura.

“Veprimet që kanë ndikim të dëmshëm në komunitete, në këtë rast te komniteti serb, nuk është i mirëpritur”.

“Njëanshmëria nuk sjell zgjidhje të qëndrueshme”, ka shkruar ai në platformën ‘X’.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore