Biznes

Nga një influencues për ‘kokë’: Bizneset shqiptare e kanë gjetur zgjidhjen


Është epoka e artë e influencuesve. Ngado, jo vetëm në Shqipëri.

E veçanta jonë është se, me ta ndjerë lezetin njëri, ja nisin ta imitojnë të gjithë (sado gjithëpërfshirëse të duket kjo).

Ndikimi është kthyer në biznes goxha fitimprurës për krijuesit e përmbajtjeve në mediat sociale dhe kompanitë tona nuk e kanë kaluar pa e vënë re trendin.

E kanë kapur momentin…dhe po e shfrytëzojnë maksimalisht.

Nga njëra anë, lehtësisht mund të cilësohet fitore për marketingun që pas vitesh të tëra është pranuar ndër pronarët e bizneseve në vend dhe ka arritur të tërheqë shuma të konsiderueshme.

Por, nga ana tjetër, gjithë mundi po shkon në një drejtim të vetëm.

Gama e gjerë e platformave sociale dhe përfshirja e tyre si kanale për ekspozim më të madh, ka shumëfishuar tërheqjen ndaj kësaj kategorie të marketingut.

Bizneset, gjithnjë e më shumë, po i integrojnë krijuesit në strategjitë e tyre kyçe të marketingut.

Madje edhe po trajnojnë stafin për t’u bërë influencues të brendshëm.

Por pse po bëhet kjo lëvizje nga ana e bizneseve?

Ina Gjini, specialiste marketingu, e konfirmon këtë konstatim dhe sqaron se arsyeja është se mediat sociale kanë marrë vëmendjen më të madhe dhe aty gjen audiencën më të gjerë për të tërhequr vëmendjen.

“Por varet edhe se për çfarë kërkohet të tërhiqet kjo vëmendje. Shumë biznese mund ta kthejnë stafin e tyre në krijues për të rekrutuar më shumë, ose të tjerë për të pasur më shumë shitje”, tregon ajo për Albanian Post.

Ina Gjini, specialiste marketingu

Sipas Gjinit, fillimisht përcaktohet lloji i fushatës, arsyeja se pse bëhet kjo lëvizje dhe më pas, duke përdorur strategjitë e duhura, arrihet të tërhiqet audienca e targetuar.

“Duke qenë se pjesa dërrmuese e të rinjve gjenden në mediat sociale – sidomos në TikTok – bizneset po e përdorin gjithnjë e më shumë atë për të arritur atë çka duan”, thekson ajo.

Nga ana tjetër, ideja e krijuar është se media tradicionale nuk ka më monopolin në shpërndarjen e informacionit.

Gjithë vëmendja ka shkuar te mediat sociale dhe specifikisht te partneriteti me influencues.

Gjini dallon se përfitimi kryesor se pse po përdoret kjo strategji është se aty ndodhet pjesa më e madhe e audiencës. Ndaj prevalon ndaj medias tradicionale.

“Shumica e bizneseve të sotme paraqiten të shfaqen të modernizuara dhe sjellin risi, ndaj përdorin median sociale, atje ku janë edhe të rinjtë”, veçon specialistja.

Tanimë, kompanitë e vogla ashtu edhe ato masive tani po i marrin partneritetet me influencuesit po aq seriozisht sa edhe fushatat e qëndrueshme të marketingut në të cilat kanë investuar për dekada.

Por a është kjo e ardhmja e biznesit?

“Bashkëpunimet midis influencuesve dhe kompanive po zgjerohen gjithnjë e më shumë. Por nëse kjo është e ardhmja ose jo, kjo nuk dihet pasi marketingu është gjithmonë në ndryshim”, shprehet Gjini.

Sipas saj, një tjetër detaj është se audienca po pëlqen më shumë origjinalitetin dhe autenticitetin, dhe shumica e influencuesve nuk e përcjellin diçka të tillë.

“Mjaftohen duke u dukur bukur, duke bërë diçka që të duket estetike, dhe kaq”, vëren ajo.

Ajo është e bindur se bota aktuale e influencuesve ka për të ndryshuar jashtëzakonisht shumë në të ardhmen.

“Njerëzit do të shkojnë drejt përmbajtjeve të thjeshta dhe origjinale”, parashikon Gjini.

Sakaq, vëmendja e sotme e konsumatorit është e fragmentuar dhe kalimtare. Vetiu ngrihet pyetja nëse ndikuesit janë vërtetë ata që u sjellin markave autenticitet dhe lidhje me audiencën?

“Varet shumë nga lloji i influencuesve që një kompani zgjedh, nga audienca që ata kanë, se si dizajnohet fushata. Nëse bizneset duan një përmbajtje të thjeshtë apo totalisht të kuruar. Varet se çfarë lidhje bëhet midis biznesit dhe audiencës së synuar”, ravijëzon Gjini.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore