Kosova

Në kulmin e tensioneve në Veri, Turqia merr komandën e KFOR-it


Komandanti i ri i KFOR-it, Ozkan Ulutas

Këtë martë me një ceremoni zyrtare gjeneralmajori turk, Ozkan Ulutas, do të marrë komandën njëvjeçare mbi misionin e KFOR-it nga gjeneralmajori italian, Michele Angelo Ristuccia.

Gjeneralmajori turk do marrë këtë pozitë në një periudhë kur tensionet me Serbinë kanë shënuar rritje pas sulmit terrorist më 24 shtator në Banjë të Zveçanit ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.

Përndryshe, kjo do të jetë hera e parë që një zyrtar ushtarak turk komandon një mision paqeruajtës të NATO-s në Kosovë që nga përfundimi i luftës në vitin 1999.

Ndërsa katër ditë më parë, Komandanti i KFOR-it, Angelo Michele Rusticcia, në konferencën e tij të fundit para gazetarëve e ka quajtur “sfidues” këtë vit sa i përket situatës së sigurisë në vend.

Në përfundim të mandatit të tij në Kosovë, Ristuccia ka thënë në një konferencë për media se KFOR-i do të vazhdojë rolin në terren me trupa shtesë që do të vinë së shpejti.

“Ka qenë një vit tejet sfidues për ne. Kjo krizë ka kërkuar orvatje ushtarake dhe diplomatike për të krijuar situatë më stabile”, tha ai.

Ristuccia ka theksuar se vetëm një zgjidhje politike mund të sjellë paqe në rajon, duke theksuar se situata tani është më e qetë se që ka qenë disa javë më parë.

Ndërkaq pas tensionimit të situatës në Veri, tashmë kanë mbërritur në Kosovë kontingjenti i parë prej 200 ushtarësh britanikë – nga 400 gjithsejtë sa do vijnë për të përforcuar kështu misionin paqeruajtës të NATO-s.

Ushtarët britanikë që janë dislokuar në Kosovë janë nga Batalioni i Parë i Regjimentit Mbretëror të Princeshës së Uellsit.

Pos Britanisë, edhe Gjermania do t’i dërgojë rreth 150 ushtarë në Kosovë në kuadër të misionit të NATO-s, KFOR-it.

Po ashtu, edhe Ministria e Mbrojtjes së Rumanisë po përgatitet të dërgojë ushtarakë shtesë në Kosovë.

Çfarë ndodhi?

Një grup i armatosur të dielën e 24 shtatorit, ka sulmuar Policinë e Kosovës në Banjë të Zveçanit, duke lënë të vrarë rreshterin, Afrim Bunjaku.

Autoritetet e Kosovës akuzuan drejtpërdrejtë Serbinë se qëndron prapa këtij sulmi terrorist, teksa kryekrimineli Milan Radojiçiç – njeri i besuar i presidentit serb Aleksandër Vuçiç – ka marrë përgjegjësinë për këtë sulm.

Radojiçiç u arrestua nga autoritetet serbe, për t’u liruar një ditë më pas.

Vendet perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian e kanë dënuar këtë sulm, derisa kanë kërkuar që përgjegjësit të sillen para drejtësisë.

Nga ana tjetër, Serbia nuk është distancuar nga ky sulm, përkundrazi ka shpallur ditë zie kombëtare, për t’i nderuar kështu terroristët e vrarë.

Përveç kësaj, Beogradi zyrtar, pas sulmit terrorist, dislokoi një numër të madh të trupave ushtarake përgjatë kufirit me Kosovën.

Ky veprim i Serbisë nxiti reagimin e bashkësisë ndërkombëtare, të cilët kërkuan që menjëherë të zvogëlohet numri i trupave ushtarake.

Pas këtyre thirrjeve të qarta të ndërkombëtarëve, Beogradi njoftoi se ka filluar reduktimin e trupave ushtarake përgjatë kufirit me Kosovën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore