Shqipëria

Ndotja mjedisore në Razëm, AKM gjobit kryebashkiakun e Malësisë së Madhe


Në Razëm, ndotja e mjedisit prej mbetjeve të hedhura në mënyrë të jashtëligjshme, ka sjellë ndëshkimin me gjobë të kryetarit të bashkisë së Malësisë së Madhe, Tonin Marinaj.

Të premten e 14 janarit, Agjencia Kombëtare e Mjedisit ka kryer inspektime në terren, duke konstatuar sasi të mëdha mbetjesh të hedhura në territorin e Razmës.

Menjëherë pas kësaj është aplikuar gjoba prej 500 mijë lekësh drejtpërdrejtë për kryetarin e bashkisë së Malësisë së Madhe.

Gjoba ndaj tij parashikohet nga ligji “Për menaxhimin e mbetjeve”, i cili është miratuar në vitin 2011. Mirëpo, sanksioni që ndëshkon direkt titullarin më të lartë të bashkisë nuk është aplikuar ndonjëherë.

Pas shpalljes nga qeveria të çështjeve mjedisore si prioritet, gjoba ndaj tij e kthen atë në kryetarin e parë të bashkisë që ndëshkohet për keqmenaxhimin e mbetjeve.

Në të gjithë territorin, prej nëntorit ka vijuar Plani i Pastrimit Kombëtar, në koordinim me prefektët e qarqeve dhe të gjitha institucionet qendrore dhe vendore.

Ndërkaq, në takimet e hapura me kryetarët e bashkive, kryeministri Edi Rama dhe ministrja Mirela Kumbaro kanë kërkuar që bashkitë të buxhetojnë me prioritet pastrimin e territorit.

Nga ana tjetër, kanë theksuar se në rast të kundërt, atyre nuk do t’u miratohen buxhetet për vitin 2022.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore