Lajme

Ndërtimet ilegale në Rugovë, ministri Peci: Pse po hesht Prokuroria, të kujt janë këto vila?


Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, ka thënë se kanë kaluar shtatë muaj prejse ka denoncuar publikisht në Prokurori vilat e ndërtuara ilegalisht në Rugovë të Pejës.

“Çile guri gojën prokuroria. Po, duke heshtë bash si këto vilat e gurit në Stankaj të Rugovës, të ndërtuara në tokë të shtetit bash nga ata që për mandat kanë pasur ruajtjen e tokës dhe pronës shtetërore e jo keq-përdorimin e saj”, ka shkruar ai në Facebook.

Sipas tij, për të tilla denoncime ‘duhet reaguar brenda 24 orëve besoj unë”.

“Të kujt janë këto vila dhe pse po heshtet?”, ka pa pyetur ai.

Vitin e kaluar, Pecit i ishte ofruar mbrojtje e afërt nga Policia e Kosovës pasi kishte marrë kërcënime.

Kërcënimet kishin ardhur si pasojë e deklaratës së Pecit se ka të gjetura skandaloze nga Komisioni që është themeluar pas vërejtjeve të Auditorit të Përgjithshëm, rreth menaxhimit të pronave të Institutit Bujqësor të Kosovës, në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë.

“Të gjeturat janë skandaloze, shumë më skandaloze sesa vërejtjet e marra në vazhdimësi nga Auditori”, ka shkruar Peci në Facebook mbrëmjen e 19 tetorit.

Ai i kishte bërë thirrje Prokurorisë së Shtetit që të jetë në shërbim të zbardhjeve të rasteve.

“Andaj, për të gjitha këto veprime të kundërligjshme, ftoj Prokurorinë e Shtetit që të vihet në shërbim të zbardhjes së këtyre rasteve abuzive sepse  adresimi i këtyre problemeve të shtresuara, nuk zgjidhet vetëm me adresime administrative”.

Ministri është shprehur se uzurpimi dhe tjetërsimi i pronës publike është bërë nga individë që nuk janë kontrolluar asnjëherë nga institucionet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore