Shqipëria

Humb betejën me Covid-19, mjeku shqiptar Geron Husi


Mjeku i njohur shqiptar, endokrinologu Geron Husi, e humbi betejën me Covid-19, mëngjesin e 13 marsit.

Husi ndodhej prej disa ditësh në spitalin e Stambollit “Medical Park”, ku po luftonte me armikun e padukshëm.

Njoftimi u bë nga mjeku Tritan Kalo, nëpërmjet një postimi në median sociale Facebook (FB).

Kalo shprehu ngushëllimet për familjarët dhe për mjekësinë, që tani nga radhët e saj humb jetën një tjetër mjek i shquar.

“Kohë kovidiane. E pabesueshme, por dhembshurisht e vërtetë. Sars-Cov2/Covid-19 edhe kësaj here goditi tinëzisht. Armatës së Mantelbardhëve nga sot e tutje do t’i mungojë një anëtar i shquar i saj, Dr. Geron Husi. Gojëmbëli, zemërmadhi, mëndjendrituri, buzëgazi, fjalëpaku dhe punëshumi si ai”.

Po ashtu, dhe ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, në një postim në FB, shprehu ngushëllimet për ndarjen e parakohshme nga jeta të doktor Husit.

“Dr. Geri i ka shërbyer me mijëra pacientëve në Shërbimin e Endokrinologjisë në QSUT, profesionist i rrallë dhe i palodhur në komunikim me pacientët”.

Nëpërmjet një postimi në FB edhe presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka shprehur ngushëllimet për mjekun endokrinolog Husin.

“Përherë pranë pacientëve në Shërbimin e Endokrinologjisë në QSUT, ku spikati për përkushtimin dhe humanizmin, kjo është një humbje e madhe dhe e pazëvendësueshme për familjen, miqtë dhe komunitetin e mantelbardhëve”.

Meta i bëri thirrje Qeverisë për të marrë të gjitha masat efektive për të garantuar mbrojtjen e shëndetit dhe jetës së të gjithë personelit mjekësor.

“Investimi i duhur në këtë drejtim shkon edhe për shëndetin e qytetarëve, të cilët presin shumë nga puna dhe përkushtimi i mjekëve, në këto kohë të vështira”, e mbyll postimin Meta.

Edhe kryetari i Partisë Demokratike (PD), Lulzim Basha, ka shkruar në Twitter duke shprehur ngushëllimet dhe humbjen e thellë për doktor Husin.

“ Po humbasim vlerat profesionale dhe njerëzore. Janë humbje të pazëvendësueshme për gjithë mjekësinë, mendimin shkencor e intektual, për shoqërine dhe familjen”.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore