Lajme

Mossad-i qëndron pas arrestimit të terroristit iranian në Gjermani


Agjencia Kombëtare e Inteligjencës së Izraelit (Mossad) siguroi informacione që çuan në arrestimin e një iraniani të dyshuar për planifikimin e një sulmi me viktima masive në Gjermani.

Lajmi u bë i ditur nga faqja “Ynet News”.

Policia gjermane arrestoi më herët një shtetas iranian 32-vjeçar i dyshuar se kishte blerë helme vdekjeprurëse cianid dhe ricinë.

Këto, për të kryer një sulm “të motivuar nga islamizmi”, thanë të dielën autoritetet në Gjermaninë perëndimore.

Burimet izraelite konfirmuan përfshirjen e Mossad-it pasi gazeta gjermane e lajmeve “Bild” raportoi se agjencia e inteligjencës së një vendi mik dha informacione kritike.

Vendbanimi i të dyshuarit në qytetin e Castrop-Rauxel u kontrollua si pjesë e hetimit, sipas një njoftimi të përbashkët për shtyp nga zyra e prokurorit publik të Duseldorfit dhe policia në qytetet Recklinghausen dhe Muenster.

Sipas policisë, kjo dënohet me burgim nga 6 muaj deri në 10 vjet.

Në Izrael, zyrtarët e sigurisë po kryejnë hetime të mëtejshme, duke hetuar nëse i dyshuari iranian po planifikonte të dëmtonte objektiva hebreje ose izraelite.

Castrop-Rauxel ndodhet në North Rhine-Westphalia, shteti më i populluar i Gjermanisë.

Policia gjermane tha se një individ i dytë u arrestua si pjesë e kërkimeve, duke shtuar se një vendim nëse do të lëshohej një urdhër-arresti zyrtar do të merret në një datë të mëvonshme ndërsa hetimi po vazhdon.

Një zëdhënës i prokurorisë publike ka konfirmuar se personi është vëllai i të dyshuarit.

Ricina, që gjendet natyrshëm në fasulet e ricinit, mund të shkaktojë vdekjen brenda 36 deri në 72 orëve nga ekspozimi ndaj një sasie aq të vogël sa një kokë gjilpëre.

Nuk ekziston asnjë antidot i njohur.

Sipas shërbimeve të brendshme gjermane të inteligjencës, numri i anëtarëve ose mbështetësve të kauzave islamike është zvogëluar me 1.5 për qind në 28 mijë e 290 individë në vitin 2021, duke përmendur “shpërbërjen ushtarake” të grupit militant Shteti Islamik.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore