Gjykata Speciale

Mos-ekstradimi i Goxhajt në Hagë ishte i drejtë, “kështu duhet të vendosin edhe autoritet kosovare në disa raste”


Vendimi i Gjykatë së Apelit në Shqipëri për të mos e ekstraduar ish-anëtarin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Dritan Goxhaj, për në Hagë pasi akuzohej nga Zyra e Prokurorit të Specializuar për kryerjen e veprave penale: “Frikësimi gjatë procedurës penale” dhe “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”, po cilësohet i drejtë nga avokati i akredituar nga Specialja Artan Qerkini.

Ai tha për Albanian Post se lirimi i Goxhajt nga Apeli “ishte drejt”, pasi vlerëson se kishte pengesa procedurale për ta ekstraduar ish-ushtarin e UÇK-së drejt Holandës.

“Në fillim të kësaj procedure jam deklaruar se ka pengesa procedurale për ekstradimin e zotëri Goxhaj, sepse Kodi Penal i Kosovës nuk mund të zbatohet për personin për të cilin pretendohet se ka kryer veprën penale të frikësimit të dëshmitareve jashtë territorit të Kosovës”, ka shpjeguar Qerkini.

Edhe avokati i tjetër Ramiz Krasniqi është në një linjë me Qerkinin për këtë çështje, derisa shton se “ka qenë vendim i drejtë i organeve të drejtësisë së Shqipërisë, sepse për veprimet e tilla nuk lejohet ekstradimi”.

“Prandaj, e çmojë dhe e vlerësojë vendimin e organeve të drejtësisë së Shqipërisë. Edhe organet e tona në disa raste është dashur të veprojnë në mënyrë të tillë”, theksoi ai për AP.

Për Krasniqin, është “veprim i nxituar i Speciales” që të dyshuarit të dërgohen në paraburgim në Hagë për veprën penale “të frikësimit të dëshmitarëve”.

“Për frikësim të dëshmitarëve nuk mundet Gjykata t’i dërgojë të dyshuarit atje. Por, meqë e kemi krijuara vetë këtë gjykatë nuk kemi çfarë të bëjmë”, shtoi ai.

Ndërsa për ish-gjeneralin shqiptar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të Divizionit të Kukësit, Kudusi Lamen, Gjykata Speciale “e ka humbur autoritetin” dhe është dëshmuar që është “gjykatë politike”.

“Ata dëshmitarë që frikësohen janë shpifës. Mënyra si u arrestua Goxhaj dhe arsyeja pse u arrestua është banale dhe politike. Specialja çdo ditë po e humbet kredibilitetin”, theksoi Lame për Albanain Post.

Gjenerali shqiptar shtoi po ashtu se largimi i dy kryeprokurorëve nga Specialja është dëshmi se kjo gjykatë ka “dështuar”.

Dritan Goxhaj

 Çfarë tha Goxhaj pas lirimit?

Të martën, Goxhaj pas lirimit të tij nga Gjykata e Apelit Tiranë, ka theksuar se lufta e UÇK-së ka qenë e drejtë dhe se askush nuk i tremb dot luftëtarët e kësaj kauze.

“Dua t’ju them qe lirinë nuk e kishim humbur asnjëherë, as unë as UÇK dhe as ata të tjerët që janë në Hagë. Ishte tentativë për të na trembur e për të na thënë e mbushur mendjen se nuk ishim në rrugë të drejtë. Sot arritëm t’u tregojmë sërish se jemi në rrugën e drejtë dhe kemi luftuar drejtë”.

Apeli e mori vendimin për të liruar Goxhajn, pasi refuzoi edhe ekstradimin e tij drejt Hagës.

Goxhaj iu bashkua UÇK-së si oficer i Ushtrisë Shqiptare në shkollën e aviacionit dhe ka pasur autorizimin e Shtabit të Përgjithshëm që të mbante kontakte me komandën e forcave amerikane në Shqipëri.

Kujtojmë që, kërkesa për arrestimin e tij erdhi nga Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës.

Institucionet e drejtësisë patën sqaruar se ndalimi është bërë pasi Goxhaj akuzohet për kryerjen e veprave penale: “Frikësimi gjatë procedurës penale” dhe “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”.

Gjykatësi i vetëm kishte lëshuar fletë-arrestin dhe urdhëroi transferimin e tij në paraburgimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Mbretërinë e Vendeve të Ulëta (‘shteti pritës’).

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore