Shqipëria

“Mirë se erdhe!”, Rama takohet me Kurtin në prag të samitit të Procesit të Berlinit


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama është takuar të hënën e 16 tetorit në kuadër të punimeve të samitit të Procesit të Berlinit me homologun kosovar Albin Kurti.

Kjo, pas një periudhe të tensionuar me deklarata në distancë mes palëve pas qëndrimeve të ndryshme në lidhje me situatën në veri të Kosovës, vendosjes së trupave të KFOR-it apo edhe formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Mirë se erdhe!”, ishte ajo që u lexua nga buzët e kreut të Qeverisë ndërsa u kthye nga kamerat e pranishme në tapetin e kuq para Kryeministrisë, duke pozuar me duart shtrënguar me Kurtin.

Kryeqeveritari i Republikës së Kosovës parakaloi më pas mediat, duke mos dhënë asnjë prononcim për shtyp.

Rajoni ndërkaq pritet të përfaqësohet në nivele kryeministrore, ku më së shumti sytë janë nga Kosova dhe Serbia, me praninë e kryeministrit Kurti dhe homologes së tij serbe, Ana Brnabiç.

Nuk pritet megjithatë që të ketë diskutime lidhur me dialogun mes Kosovës dhe Serbisë në këtë Samit, duke qenë se agjenda është paracaktuar muaj më parë.

Liderët nga BE dhe Ballkani Perëndimor do të zhvillojnë një samit në kryeqytetin e Shqipërisë të hënën për të diskutuar rrugën drejt anëtarësimit në bllok për gjashtë vendet e rajonit.

Lufta e Rusisë në Ukrainë e ka vënë integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE në krye të axhendës së bllokut 27-vendesh.

Temat kryesore në bisedimet vjetore – të quajtura Procesi i Berlinit – janë integrimi i Ballkanit Perëndimor në një treg të vetëm dhe mbështetja e transformimit të tyre të gjelbër dhe dixhital.

Kombet në rajon janë Shqipëria, Bosnja, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia.

Zyrtarët e lartë të BE-së që marrin pjesë në samitin në Tiranë janë presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel. Atyre do t’u bashkohen kancelari gjerman Olaf Scholz dhe presidenti francez Emmanuel Macron.

Agjenda

Në orën 11:00 do të jetë pritja e liderëve, e cila do të pasojë me fjalën hapëse 30 minuta më vonë.

Në orën 12:00 nis sesioni i punës, integrimi i rajonit në tregun e përbashkët evropian dhe përmirësimi i konvergjencës me BE.

Në orën 13:30 fotografia familjare.

Më pas sesioni i dytë i punës do të nisë në orën 15:30, ku do të diskutohet mbi mbështetjen e tranzicionit të gjelbër dhe digjital në Ballkanin Perëndimor.

Në agjendë është parashikuar edhe përurimi i Kolegjit të Evropës në Tiranë.

Në orën 17:30 do të nënshkruhet marrëveshja rajonale për njohje reciproke të kualifikimit profesional.

E shumëpritur do të jetë konferenca e përbashkët për shtyp, që do të mbahet në orën 17:45.

E gjitha përfundon me ceremoninë e inaugurimit të Piramidës, në orën 18:30.

Masat policore

Ndërkaq Policia e Shtetit nëpërmjet një deklarate për mediat ka bërë me dije masat që do të ndërmerren në kuadër të samitit.

Kështu, Policia njoftoi se nga nesër do të nis rrethimi në rrugë në mënyrë që të ketë siguri për këtë event të madh që do të zhvillohet për herë të parë jashtë kufijve të BE-së.

Nëndrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Sokol Bizhga, bëri të ditur se për mbarëvajtjen e këtij samiti do të jenë të angazhuar 1 mijë e 604 forca policore.

Policia shtoi se për garantimin dhe sigurinë e aktivitetit kemi bashkëpunuar me agjensitë e tjera të zbatimit të ligjit në vend dhe me agjenci ndërkombëtare.

“Po bashkëpunojmë me bashkinë e Tiranës, Autoritetin Portul të Rinasit, Policinë bashkiake, shërbimin zjarrfikës dhe qendrën spitalore të Tiranës”.

Kështu, rrugët që do të jenë të bllokuara janë bulevardi “Dëshmorët e Kombit” – ura e Dajtit deri te sheshi “Nënë Tereza”, bulevardi “Bajram Curri” nga kryqëzimi me rrugën e Elbasanit deri te kryqëzimi i rrugës Ibrahim Rrugova, Rruga Papa Gjon Pali II – ETC – RTSH – stadiumi, rruga Ismail Qemali deri te rruga e Elbasanit, rruga Mustafa Matohiti.

Në këto akse rrugore, duke filluar nga ora 20:00 e datës 15 tetor deri në datën 16 në orën 11:00, do të ndalohet parkimi dhe qarkullimi i automjeteve por do të lejohet qarkullimi i qytetarëve që janë rezident në ambientet e banimit brenda këtij perimetri sigurie.

Sipas Bizhgës, në këto zona do të lejohet vetëm qarkullimi në këmbë i banorëve rezidentë.

Ndërsa në rrugën “Papa Gjon Pali II” nuk do të lejohet as qarkullimi i këmbësorëve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore