Lajme

Miratohet Buxheti 2024, Kurti: Po forcohet mbrojtja, po rritet siguria e po nxitet punësimi


Albin Kurti

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë miratuar me shumicë votash Ligjin për Buxhetin për vitin 2024, i cili do të jetë 3.3 miliardë euro. Në seancën e Kuvendit të Kosovës nuk ishin të pranishëm deputetët e partive opozitare, ndërsa kryeministri kosovar, Albin Kurti, ka falënderuar deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) për votën, kontributin dhe mbështetjen e tyre.

Ai ka thënë se edhe këtë vit, buxheti për vitin e ardhshëm është për 35 për qind më i lartë se buxheti në vitin e parë të qeverisjes (2021), duke shtuar se përmes buxhetit të miratuar nga 63 deputetë të Kuvendit të Kosovës, forcohet mbrojtja e vendit, rritet siguria e nxitet punësimi, pa përjashtuar zhvillimin ekonomik dhe ngritjen e mirëqenies së qytetarëve.

“Me këtë buxhet të përgjithshëm prej mbi 3.3 miliardë euro, që është për 35% më i lartë se buxheti që gjetëm në vitin tonë të parë të qeverisjes, po vazhdojmë që ta forcojmë mbrojtjen e Republikës, rrisim sigurinë, nxisim punësimin në tregun e punës, shtojmë kujdesin për familjet, mbështesim reformat që kemi filluar dhe mundësojmë zhvillimin e mëtejmë ekonomik dhe ngrisim mirëqenien e qytetarëve në vend”, ka thënë ai.

Asnjë nga amendamentet e propozuara nga ana e deputetëve opozitarë, përkatësisht Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) nuk ka marrë përkrahjen e shumicës. Ata janë ankuar për mospërfilljen e kërkesave buxhetore, derisa kanë kritikuar buxhetin e paraparë për vitin e ardhshëm.

Projektligji për Buxhetin për vitin 2024 është miratuar nga Qeveria e Kosovës më 31 tetor të këtij viti. Nga 3.3 miliardë euro në total, mbi 1 miliard euro parashihet të shkojnë për subvencione dhe transfere, mbi 850 milionë euro për shpenzime kapitale, mbi 800 milionë euro për paga e shtesa dhe afër 500 milionë euro për mallra dhe shpenzime.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore