Lajme

Ministri i Mbrojtjes i Italisë takon Maqedoncin: Prania jonë në KFOR, vendimtare për të shmangur tensionet


Guido Crosetto dhe Ejup Maqedonci

Guido Crosetto, Ministër i Mbrojtjes së Italisë, gjatë qëndrimit të tij në Kosovë, është takuar me homologun e tij kosovar, Ejup Maqedonci, ku ka thënë se prania e trupave italianë në Kosovë në kuadër të misionit të NATO-s (KFOR), është vendimtare për të shmangur çfarëdo tensioni të mundshëm.

Lajmi u bë i ditur nga Ministria e Mbrojtjes së Italisë, përmes një postimi në platformën X.

“Mbi 20 vjet angazhim italian ndaj misionit të KFOR-it për të promovuar paqen dhe stabilitetin konfirmojnë lidhjen e fortë të miqësisë midis Italisë dhe Kosovës. Prania jonë vendimtare për të zbutur tensionet dhe për të shmangur përshkallëzimin midis palëve”, ka thënë Crosetto.

Ndryshe, Ministri i Mbrojtjes i Italisë, Guido Crosetto, të premten është duke qëndruar për vizitë zyrtare në Kosovë.

Crosetto, gjatë qëndrimit në Kosovë do të vizitojë ushtarët italianë të cilët po shërbejnë në vend në kuadër të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR-it.

Në njoftimin e publikuar nga Ministria e Mbrojtjes së Italisë bëhet e ditur se Crosetto do të festojë me ushtarakët italianë festën e Premtes së Madhe.

“Po nisem për Kosovë për të kaluar të Premten e Madhe me ushtrinë tonë. Atyre do t’i sjell përshëndetjet dhe mirënjohjet e shtetit dhe italianëve”.

Në njoftim bëhet e ditur se Crosseto do të zhvillojë edhe “takime të rëndësishme institucionale”, por pa dhënë detaje shtesë se me kë saktësisht do të takohet ministri italian.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore