Kosova

Ministri gjerman i Mbrojtës: Do veprojmë shpejtë në rast të tensionimit të situatës në Kosovë


Ministri i Mbrojtjes në Gjermani, Boris Pistorius

“Ne jemi duke e përcjellur situatën në Kosovë dhe do të veprojmë nëse është e nevojshme”.

Kështu ka thënë Ministri i Mbrojtjes në Gjermani, Boris Pistorius, raporton agjencia e lajmeve DPA.

Po ashtu Pistorius nuk e ka përjashtuar rritjen e prezencës së ushtarëve gjermanë në Kosovë, siç ka bërë së fundi Britania e Madhe.

Ndërsa kryetarja e komisionit të mbrojtjes në parlamentin gjerman, Bundestag, ngriti idenë për dërgimin e më shumë ushtarëve gjermanë në misionin e KFOR-it.

“Sipas mandatit, tavani i personelit është 400 ushtarë. Pa ndryshuar mandatin, ka ende vend për përmirësim”, theksoi ajo.

Ndërsa aktualisht janë 85 ushtarë nga Gjermania që shërbejnë në misionin e KFOR-it.

Gjatë ditës, Ministrja e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Annalena Baerbock, tha se Serbia duhet ta reduktojë urgjentisht numrin e pjesëtarëve të ushtrisë serbe përgjatë vijës kufitare me Kosovën.

“Serbia duhet t’i reduktojë trupat e saj përgjatë vijës kufitare dhe ky është edhe apeli urgjent që del nga takimi ynë i përbashkët në Kiev”, theksoi kryediplomatja gjermane.

Po ashtu Departamenti Amerikan i Shtetit ka njoftuar se akoma nuk i ka vërtetuar raportimet se Serbia ka tërhequr personelin ushtarak dhe armatimin nga kufiri me Kosovën.

Lajmi u bë i ditur nga zëdhënësi Matthew Miller, duke cituar konferencën për mediat.

“Kemi parë raportimet se Serbia ka tërhequr pajisjen ushtarake dhe personale nga kufiri. Ne nuk i kemi verifikuar ato në mënyrë të pavarur dhe do ta bëjmë, por nëse është e vërtetë, do të ishte një hap i mirëpritur”, theksoi zyrtari amerikan.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore