Kosova

Ministeriali i NATO-s në Bruksel: Siguria në Ballkanin Perëndimor dhe tensionet Kosovë-Serbi ndër temat kryesore


Jens Stoltenberg dhe Josep Borrell

Situata e rënduar e sigurisë në Ballkanin Perëndimor nën dritën e kërcënimeve ruse dhe rrjedha e tensionuar në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, do të jenë ndër temat kryesore të takimit të Ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve anëtare të NATO-s këtë të martë në kryeqendren politike të bashkësisë së organizuar perëndimore.

Krerët e diplomacive të 31 shteteve anëtare të NATO-s do të shqyrtojnë mënyrën se si të zgjidhin krizën gjithnjë e më të mprehtë në veriun e Kosovës të banuar me serbë etnikë dhe t’i hapet rrugë procesit të normalizimit të marrëdhënieve, pa përjashtuar diskutimet mbi agresionin rus kundër Ukrainës dhe konfliktin midis Izraelit dhe Palestinës në Lindjen e Mesme.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka konfirmuar se në takimin e Ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve anëtare të NATO-s që pritet të fillojë këtë të martë dhe do të vazhdojë edhe të mërkurën (28 dhe 29 nëntor) në Bruksel, një vëmendje e veçantë pritet t’i kushtohet edhe ngjarjeve të fundit në Ballkanin Perëndimor të ngjeshur nga tensionet.

Stoltenberg, në një konferencë për media, para nisjes së takimit të ministrave të jashtëm, ka thënë se së bashku me Përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian (BE) për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, do të shqyrtojnë mënyrën se si t’i përgjigjen sfidave të sigurisë në rajon dhe të ruajnë stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.

Ai ka theksuar se është parë dhunë serioze në pjesën veriore të Kosovës dhe për këtë arsye NATO-ja ka shtuar edhe 1 mijë ushtarë në kuadër të misionit të KFOR-it, ndërsa ka shtuar se do të ekzaminohet edhe rritja e qëndrueshme e afatgjate e trupave paqeruajtëse, posaçërisht pas ngjarjeve të fundit që kanë dëshmuar se paqja në rajon është ende e brishtë.

“NATO-ja do të bëjë çdo gjë që është e nevojshme për të ruajtur stabilitetin në këtë rajon. Kjo është e rëndësishme për NATO-n. Ne kemi një histori atje. Dhe ne kemi rritur prezencën në Kosovë për 1 mijë trupa shtesë. Jemi duke ekzaminuar edhe mundësinë e një prezence më të qëndrueshme në Kosovë”.

Shefi i NATO-s ka përsëritur se propozimi i aleatëve perëndimorë për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe është një hap i rëndësishëm për të çuar përpara procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, derisa ka bërë thirrje që palët të përmbahen nga retorikat nxitëse dhe të mos ndërmarrin veprime që mund t’i ndezin tensionet.

“Ne gjithashtu besojmë se propozimi për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe mund të jetë një hap i rëndësishëm përpara për ta çuar dialogun në një drejtim më konstruktiv. Mesazhi im është që të dyja palët të përmbahen nga retorikat nxitëse dhe natyrisht të mos kryejnë asnjë veprim që mund të rrisë më tej tensionet në rajon”, ka deklaruar Stoltenberg.

E shumë analistë kanë vlerësuar se perspektiva e rrëshqitjes drejt skajeve të krizës nuk mund të izolohet; derisa u krijohet mundësia lojtarëve lokalë serbë të lidhur me interesat ruse të zgjerojnë hijen kërcënuese dhe të provokojnë konflikte, tani rreziku i përshkallëzimit rri i varur mbi mbarë Ballkanin Perëndimor.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore