Kosova

Mimoza Kusari-Lila kandidate e LVV-së për Gjakovën


Albin Kurti dhe Mimoza Kusari-Lila

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) e ka zyrtarizuar të enjten kandidaturën e Mimoza Kusari-Lila për kryetare të Gjakovës në Zgjedhjet Lokale që do të mbahen më 17 tetor të këtij viti.

Kandidatura e saj është bërë e ditur nëpërmjet një njoftimi në rrjetin social Facebook të LVV-së.

“Përmes këtij memorandumi mes subjekteve tona njoftojmë̈ opinionin publik që kandidatja e Lëvizjes VETËVENDOSJE! për Gjakovë do të jetë Kryetarja e Alternativës për Kosovën dhe njëherit ushtruesja e detyrës së grupit tonë parlamentar, zonja Mimoza Kusari-Lila”, thuhet në njoftim të LVV-së.

Tutje në njoftim thuhet se “Fryma e shkëlqyeshme e bashkëveprimit mes Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe Alternativës për Kosovën ka sjellë rezultate të mira në nivel qendror e tash është momenti ta zgjerojmë edhe në nivel lokal. Ndryshimet e mëdha për të cilat ka nevojë Kosova, kërkojnë një bashkërendim të reformave e veprimeve të Qeverisë, me një drejtim transformues nëpër komuna”.

Lëvizja Vetëvendosje më tej në njoftim thotë se “Qeverisjes së mirë në nivelin qendror duhet t’ja bashkangjesim edhe qeverisjen punëtore në nivelin lokal”.

Kandidatura e Kusari-Lilës sipas njoftimit dhe publikimit të Memorandumit mes LVV-së dhe Alternativës për Kosovën në nenin e parë ku është Qëllimi, thuhet se me anë të këtij dokumenti synohet një bashkëpunim në mes të palëve për Zgjedhjet Lokale të tetorit.

“Ky Memorandum synon bashkëpunimin në mes të palëve lidhur me aktivitetet e përbashkëta politike midis LV-së dhe AK-së në zgjedhjet lokale të datës 17 tetor 2021.”

Ndërsa në Nenin e dytë  ndër të tjera thuhet se “Numri i kandidatëve që LV do të pranojë në listën për Kuvendet Komunale në secilën komunë nga Alternativa për Kosovën do të përcaktohet në bashkëpunim mes palëve”.

Ndërsa sa i përket bashkëpunimit gjatë fushatës zgjedhore sipas Memorandumit thuhet se LVV dhe AK do të “krijojnë shtate të përbashkëta zgjedhore”.

Memorandumi mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Alternatives për Kosovën, për bashkëpunimin në Zgjedhje Lokale të 17 tetorit.

Në njoftim të këtij subjekti politik u bëhet thirrje qytetarëve që të dalin për të votuar në zgjedhjet lokale të 17 tetorit.

Emri i Mimoza Kusari-Lilës është përfolur prej kohësh që do të jetë kandidate për të parin e Gjakovës.

Ajo ka qeverisur me qytetin e Gjakovës për një mandate në periudhën 2014-2017.

Gjithashtu ajo ka mbajtur funksione të ndryshme në Qeverinë e Kosovës si dhe ka qenë deputete në Kuvendin e Kosovës disa mandate.

Kandidatura e Mimoza-Kusari-Lilës është e para kandidaturë nga ky subjekt politik dhe njëherit kandidatura e pestë grua deri më tani për kryetare komune.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore