Kosova

Mesiç: Sulmi në Banjë ishte përgatitje për të nxitur luftë – reagimi i Kosovës i duhur


Ish-Presidenti i Kroacisë, Stipe Mesiç.

Ish-Presidenti i Kroacisë, Stipe Mesiç, ka thënë se sulmi terrorist në Banjë të Zveçanit, ishte përgatitur për të nxitur luftë, teksa foli edhe për implikimin e institucioneve të Serbisë në këtë ngjarje.

“Kur një ditë të analizohet, dhe ka arsye për të folur për të, nuk ishte ekses, kjo ishte përgatitur dhe në këtë kanë marrë pjesë disa institucione, të cilat mund të sjellin njerëz të armatosur me pajisje, domethënë pajisje për luftë, bomba, me mitraloza të rëndë, automjete të blinduara”, tha Mesiç në një intervistë për agjencinë kosovare të lajmeve “KosovaPress”.

“Kështu që gjithçka ishte përgatitur për një provokim të madh për të ngritur njerëzit nga rrethina, që ata të reagojnë dhe pastaj Serbia të shfaqet si ajo që do të zgjidhë gjërat, dhe në fakt është politika serbe e cila dëshiron të integrojë një pjesë të Kosovës në territorin e saj”, shtoi.

Sa i përket reagimit të institucioneve të Kosovës për ngjarjen e 24 shtatorit, ai i konsideron si tejet të duhura.

“Në këtë mund të thuhet situatë të vështirë, në një provokim të vështirë, si qeveria ashtu edhe presidentja kanë marrë të gjitha masat e nevojshme. Në veprimet e tyre, institucionet e Kosovës vepruan sipas standardeve evropiane dhe i përgëzoj që nuk lejuan që kjo sfidë të shkaktojë viktima më të mëdha…”.

Nga ana tjetër, ish-lideri i Kroacisë për 10 vite, thekson se Serbia ka “marrë shumë masa që bota mund t’i kritikojë, përkatësisht në Serbi nderohen ata terroristë që sulmuan institucionet e Kosovës, të cilët sulmuan Kosovën”, duke iu referuar zisë kombëtare që Serbia e shpalli me 27 shtator.

“Pra, ata vdiqën në një sulm terrorist dhe Serbia i nderon si viktima të politikës shqiptare, kështu që ata bënë gjithçka për të bërë gjënë e gabuar”.

Sa i përket asaj se a duhet që Kosova të vazhdojë apo jo dialogun me Serbinë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, pas këtij rasti, Mesiç sugjeron se po.

“Po, sigurisht, Kosova gjithmonë ka treguar interes që çdo gjë të zgjidhet në mënyrë paqësore, në mënyrë diplomatike dhe në këtë kuptim, mendoj se Kosova do të vazhdojë të ketë të njëjtat pikëpamje”.

Kështu që, pohon ai, Qeveria e Kosovës, ata që udhëheqin në Kosovë, “ata udhëheqin një politikë evropiane dhe në këtë kuptim duhet edhe në Serbi t’i kuptojnë faktet dhe të vendosin sipas atyre fakteve”.

Mesiç ka treguar se javën e kaluar, në Zagreb, është takuar me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë vizitës së saj zyrtare që e kishte në Kroaci, për të cilën theksoi se ka një qasje realiste ndaj politikës evropiane.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore