Kosova

Melenchon – politikani që u mbështet nga Kurti – kundër pavarësisë së Kosovës, admirues i Chavezit dhe Putinit


Jean-Luc Melenchon

Jean-Luc Melenchon, lideri i lëvizjes ekstreme “Franca e Panënshtruar” që bën pjesë në aleancën majtiste Fronti i Ri Kombëtar (NFP), fitues të zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare franceze, për të cilën Lëvizja Vetëvendosje (LVV) e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, shprehu përkrahje javën e kaluar, del të jetë një figurë thellësisht kontraverse.

Në një artikull të botuar në 10-vjetorin e pavarësisë së Kosovës, ai etiketoi hapin unilateral të shpalljes së pavarësisë së Kosovës si shkelje të së drejtës ndërkombëtare, duke e denoncuar edhe NATO-n e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) për ndërhyrjen humanitare, në vitin 1999.

“Natyrisht, sovraniteti i Kosovës në thelb është imagjinar. Pas 19-vjetësh, trupat e NATO-s janë ende masivisht të pranishme në Kosovë, eksistenca e së cilës varet nga prania ushtarake. Kosova nuk ekziston. Kjo enklavë është e paqeverisshme dhe e paqëndrueshme”, shkroi ai në shkurt të vitit 2018.

Melenchon është një nacionalist, pavarësisht kredos internacionaliste. Ai s’e mbuloi asnjëherë simpatinë për autokratë të zgjedhur si Vladimir Putin apo Hugo Chavez. Megjithatë, ajo që e bën liderin e ekstremit të majtë një figurë kontraverse është se ai është përmbajtur nga ngarkimi i përgjegjësisë ndaj Rusisë për agresionin në Ukrainë dhe aneksimin e Krimesë.

Përkundër se Melenchon moderoi disa nga pozicionet e mëparshme pas pushtimit në shkallë të gjerë të Ukrainës nga Rusia, ai justifikoi dhe lavdëroi aneksimin e paligjshëm të Krimesë nga Putini: “Krimea është e humbur për NATO-n. Ky është një lajm i mirë”, shkroi Melenchon në mars të vitit 2014.

Në mars të vitit 2013, pas vdekjes së Chavezit, ai shkroi: “Ai nuk vdes kurrë”. Melenchon preferon BRICS – Brazili, Rusia, India, Kina dhe Afrika e Jugut – përpara NATO-s. Gjithashtu, ai është një nga kritikët më të zëshëm të ofensivës së Izraelit në Gaza. Melenchon akuzohet edhe për anti-semitizëm, duke qenë se ai refuzon ta cilësojë Hamasin organizatë terroriste.

LVV-ja, partia që udhëheq pushtetin ekzekutiv në Kosovë, para zgjedhjeve franceze të së dielës, bëri thirrje që diaspora kosovare të votojë kundër të djathtës ekstreme, duke shprehur drojën për pasojat që mund të vijnë nga një fitore potenciale e forcave populiste, nacionaliste e euroskeptike.

“Në këto rrethana mbesim me shpresë që bashkimi i subjekteve të majta nën emrin ‘Nouveau Front Populaire’ do të triumfojë dhe do ta parandalojë fitoren dhe ardhjen në pushtet të së djathtës ekstreme, gjë që do të ishte fatale për shoqërinë dhe vlerat e solidaritetit dhe bashkëjetesës jo vetëm në Francë, por kudo nëpër kontinentin e Evropës”, konsideroi ky subjekt politik.

Ndryshe, blloku i të gjelbërve, socialdemokratëve, komunistëve dhe partisë majtiste të Melenchonit, doli fuqia dominuese në Asamblenë Kombëtare të Francës pas zgjedhjeve të së dielës, në bazë të sondazheve preliminare, por asnjë grup nuk fitoi vetëm shumicën dhe ekziston mundësia që ky front të formojë një qeveri të pakicës apo të synojë ndërtimin e një koalicioni të gjerë.

Melenchon – majtisti që u mbështet nga Kurti – kundër pavarësisë së Kosovës

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore