Kosova

Mehaj dhe Shefja e Operacioneve Aktuale të NATO-s diskutojnë për zhvillimet gjeopolitike pas agresionit rus në Ukrainë


Shefja e Operacioneve Aktuale të NATO-s në Kosovë, Ariella Viehe dhe Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Armend Mehaj

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka pritur në takim Shefen e Operacioneve Aktuale të Divizionit Operativ të Shtabit të Përgjithshëm të NATO-s, Ariella Viehe.

Gjatë këtij takimi, Ministri Mehaj ka njoftuar Viehe për zhvillimet aktuale në Ministrinë e Mbrojtjes dhe FSK-së si dhe planet e këtyre institucioneve për të ardhmen.

Mehaj ka paraqitur edhe bashkëpunimin e ngushtë të Ministrisë me Ekipin Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s (NALT), duke shprehur mirënjohjen e lartë për mbështetjen e deritashme për të gjitha proceset zhvillimore në Ministri dhe FSK.

Në llogarinë e tij në Facebook, Mehaj ka shkruar se mysafiren e ka njoftuar edhe me zhvillime të tjera.

“Në vazhdim, me Viehe diskutuam për zhvillimet gjeopolitike pas agresionit ushtarak të Rusisë në Ukrainë, ku përveç bashkëpunimit të shkëlqyeshëm, e potencova rolin shumë të rëndësishëm të NATO-s me operacionin KFOR në funksion të paqes, sigurisë dhe stabilitetit rajonal dhe më gjerë”.

Për angazhimet zyrtare të institucioneve të vendit, Ministri Mehaj thotë se ka njoftuar Viehe edhe me strategjinë aktuale shtetërore në funksion të proceseve integruese të Kosovës në NATO.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore