Kosova

Megafoni i Albin Kurtit në RTK


Memli Krasniqi

Radiotelevizioni Publik i Kosovës (RTK), pas zgjedhjes së Rilind Gërvallës si drejtor i transmetuesit publik, nuk do të jetë më në shërbim të publikut, por do të përdoret si megafon i Albin Kurtit dhe Vetëvendosjes, kanë thënë nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK).

“Me këto emërime, RTK nuk do të jetë më në shërbim të publikut, por do të përdoret si megafon i Albin Kurtit dhe Vetëvendosjes, ndërsa militantët që do ta drejtojnë RTK-në, do të marrin urdhra nga ideologët dhe propaganduesit e tyre parti”.

Sipas PDK-së, kryeministri Albin Kurti e ka instaluar militantin shumëvjeçar të VV-së si drejtor të RTK-së dhe simbolizon një nga shumë kapjet institucionale të pavarura nga Kurti me presidenten Osmani.

“Kapja e RTK-së nga kryeministri Albin Kurti me mbështetjen e presidentes Vjosa Osmani ka filluar që nga zgjedhja e anëtarëve të Bordit të RTK-së, të cilët tani po i përdorin për realizimin e planit politik të partisë në pushtet për instalimin e militantëve në pozita drejtuese, duke kulmuar sot me emërimin e militantit Rilind Gërvalla si drejtor i Televizionit Publik”.

PDK-ja ka vlerësuar se kapja dhe nënshtrimi i RTK-së nën direktivën e pushtetit, është një hap më tutje kundër fjalës së lirë dhe lirisë së mediave në Kosovë ndërsa shtohet se pushteti synon kapjen e mendjes së qytetarëve nga e cila kanë frikë më së shumti.

“Prandaj, nëpërmjet instalimit të militantit Rilind Gërvalla si drejtor, kryeministri Albin Kurti po synon që ta përdorë RTK-në për propagandë dhe agjitacion të llojit “Çka ka, çka s’ka”, për të shtrembëruar realitetin dhe të vërtetën e keqqeverisjes së tij”, thuhet mestjerash në komunikatë.

Bordi i Radio Televizionit të Kosovës ka zgjedhur të martën aktivistin e Lëvizjes Vetëvendosje Rilind Gërvallën drejtor të RTK-së për kanalet shqip (1,3 dhe 4). Nga bordi i RTK-së është bërë e ditur se Gërvalla është zgjedhur në këtë pozitë me tetë vota për dhe asnjë kundër.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore