Lajme

Me koeficientin e ri kadetët e FSK-së do paguhen më pak se paga minimale e caktuar nga Qeveria


Ilustrim i punuar nga gazetari i Albanian Post, Klevis Hoxha

Në fillim të muajit më të shkurtër të vitit Qeveria e Kosovës morri vendim për të caktuar koeficientin e pagës për punëtorët e sektorit publik.

Kryeministri Kurti tha se për vitin 2022 një koeficient ka vlerën e 105 eurove, ndërsa vitin tjetër pesë euro më shumë.

Në deklarimin e tij publik, i pari i qeverisë tregoi se Ministria e Financave dhe ajo e Punëve të Brendshme kanë bërë përgatitjet e duhura duke u bazuar në ligjin e pagave.

Por, diçka nuk u planifikua mirë.

Aktualisht në Kosovë paga minimale është 170 euro, ndërsa Qeveria zotohet se do ta rris në 264.

Por, në listën e gjatë të përcaktimit të koeficientit për të gjithë të punësuarit në sektorin publik në Kosovë ka edhe koeficient 2.

Në bazë të këtij koeficienti, kadetët e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), do të paguhen 210 euro në muaj.

Pagë kjo e cila është për 54 euro më e ulët sesa planifikimi i pagës që Qeveria është zotuar se do ta bëjë në ligjin i cili përcakton pragun e pagës më të ulët në vend.

Njohësit e çështjeve ekonomike këtë gjë e shohin si gabim në strategji e politikbërje të udhëheqësisë në vend.

Si është e mundur që Qeveria e Kosovës – me vetëdije – të planifikojë pagë më të ulët se propozimi i vet për pagën minimale?

“Nuk ka përplasje të këtyre dy ligjeve”, thotë ekonomisti Erton Bega në një përgjigje për Albanian Post, “pasi paga minimale prevalon mbi pagën bazë sipas ligjit”.

Por, për Begën diçka tjetër është më problematike.

“Metoda me të cilën e ka rregulluar qeveria këtë çështje tregon për mangësi në planifikim dhe kurthërim të bazës ligjore sikurse dëshmon mosgatishmërinë e qeverisë për të ofruar paga në përputhje me propozimet e veta”, ka specifikuar ai.

Për më tepër, sipas Begajt, “kjo shpërfaq joseriozitetin e qeverisë për të kaluar amandamente ligjore që lidhen me pagën minimale, pasi qeveria tjetër gjë propozon e tjetër gjë ekzekuton”.

E pa kuptueshme kjo situatë është edhe për ish ministrin e Financave, Haki Shatrin.

Kjo, sidomos për faktin që të dy ligjet në fjalë, ajo e pagave dhe e pagës minimale, janë trajtuar dhe po fuqizohen nga e njëjta strukturë politike dhe qeverisëse.

“Kjo do të arsyetohej kur ligjet të jenë nxjerrë në legjislatura të ndryshme”, thotë Shatri.

Si ekspert i fushës, megjithatë ai sheh një zgjidhje.

“Ky defekt ka mundë të evitohet ose duke e caktuar koeficientin më të ulët tre, ose duke e caktuar vlerën e koeficientit 130 euro”, shprehet Shatri.

“Një mundësi tjetër do të ishte që kompensimet për kadetët të jepen përmes Ministrisë së Mbrojtjes në formë të bursave dhe kjo nga kategoria e mallrave dhe shërbimeve”.

Haki Shatri që shërbeu si Ministër i Financave në periudhën 2006-2008, në Qeverinë e Kosovës, thotë se gjysmë mandati është i mjaftueshëm për të mësuar punën ata që për herë të parë kanë marrë detyra e përgjegjësi udhëheqëse në institucionet e vendit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore