Kosova

Mbyllja eventuale e institucioneve arsimore e shëndetësore të Serbisë në Veri, Rashiç: Duhet të jemi të gatshëm për një skenar që s’do të na pëlqejë


Nenad Rashiç

Ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiç, ka thënë se institucionet arsimore dhe shëndetësore nën sistemin e Serbisë nuk rrezikohen të mbyllen aktualisht, por që thekson se serbët e Kosovës “duhet të jenë të gatshëm për një skenar që nuk do të na pëlqejë”.

“Duhet të planifikohen opsionet, sepse nuk është çështja nëse do të ndodhë [mbyllja e institucioneve arsimore dhe shëndetësore nën sistemin e Serbisë], por kur do të ndodhë. Gjithçka që na ka befasuar së voni, gjithçka që nuk e kemi ditur apo që Beogradi na e ka fshehur, nuk do të thotë se nuk do të ndodhë”, ka thënë Rashiç për Radion Evropa e Lirë.

Rashiç, ka potencuar se këto institucione paralele të Serbisë të cilat financohen nga buxheti i Serbisë dhe funksionojnë nën sistemin e saj, do të duhet “të inkorporohen” në sistemin legjislativ të Kosovës, pasi një gjë e tillë parashikohet nga marrëveshjet e arritura në Bruksel.

Në mënyrë që të mos dëmtohen qytetarët dhe punonjësit, sipas Rashiç, duhet të gjenden modele që e “inkorporojnë” të gjithë sistemin serb në atë të Kosovës, duke theksuar se shëndetësia dhe arsimi janë “shtylla të mbrojtjes së të drejtave dhe interesave të serbëve”.

Institucionet shëndetësore dhe arsimore serbe, shton ai, duhet të bashkëpunojnë me Kosovën për të gjetur një zgjidhje për funksionimin e tyre.

Sipas tij, një bashkëpunim i tillë mungon.

“Duhet të gjejmë hapësirë në ligjet e Kosovës, në mënyrë që bashkëqytetarët tanë të mos pësojnë dëme”, thotë ai.

Qeveria e Kosovës në vazhdimësi ka ndërmarrë aksione të ndryshme për mbylljen e institucioneve paralele të Serbisë që funksionojnë brenda territorit të Kosovës.

Së fundmi disa nga institucionet paralele të mbyllura ishin: Qarku i Mitrovicës së Kosovës, Komuna paralele e Mitrovicës, Komuna paralele e Zveçanit, Komuna paralele e Zubin Potokut dhe Komuna paralele e Leposaviqit.

Në disa nga objektet që më herët janë përdorur nga institucionet paralele, ditëve të fundit janë vendosur pllaka që tregojnë se tani ato do të përdoren si zyra për disa nga ministritë e Kosovës dhe departamentet e tyre.

Punëtorët e atyre institucioneve paralele kanë protestuar kundër mbylljes së tyre.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore