Lajme

Mbreti i Suedisë : Kemi dështuar me qasjen e lehtësuar ndaj pandemisë


Në fjalimin e tij për Krishtlindje Mbreti i Suedisë, King Carl Gustaf, kritikoi qasjen suedeze për luftimin e pandemisë duke e quajtur atë  “një dështim”.

“Mendoj se kemi dështuar. Kemi një numër shumë të lartë të të vdekurve. Eshtë e tmerrshme dhe po na prek të gjithëve”, tha Mbreti Gustaf.

Mbreti e cilësoi situatën “një përvojë traumatike” dhe shprehu keqardhjen dhe empatinë për jetët e humbura dhe situatën alarmante me të cilën vendi po përballet.

“Mendoni për të gjithë anëtarët e familjes që nuk kanë qenë në gjendje t’i thonë lamtumirë familjarëve të tyre. Mendoj se të mos jesh në gjendje të thuash një lamtumirë të fundit, është një përvojë e rëndë dhe traumatike. Populli Suedez ka vuajtur jashtëzakonisht shumë në këto kushte të vështira dhe kohët e fundit, kjo po ndihet akoma dhe më shumë “, tha ndër të tjera ai.

Të martën, një komision i pavarur në Suedi botoi një raport që lajmëronte një rekord prej 8 mijë e 881 rastesh dhe përshkruante mangësitë e mëdha të qeverisë, sidomos në kujdesin ndaj të moshuarve. Sipas pretendimeve të raportit, numri i lartë i vdekjeve, i është atribuar masave jo të përshtatëshme të qeverisë. Raporti zbuloi gjithashtu se nga më shumë se 7 mijë vdekje prej coronavirusit në Suedi, pothuajse 90%  ishin të moshës mbi 70 vjeç dhe gjysma e tyre jetonin në shtëpi për të moshuar.

Strategjia e coronavirusit të Suedisë ka qenë temë e debatit ndërkombëtar, pas vendimit të autoriteteve për të këshilluar qytetarët për sjellje të përgjegjshme qytetare, në vend të ndjekjes së një praktike izolimi.

Sidoqoftë, numri i lartë i viktimave posaçërisht në shtëpitë e të moshuarve ka tërhequr kritikat më të shumta.

Suedia është duke numëruar shifrat më të larta të vdekjeve për frymë të coronavirusit në Evropë, pavarësisht dendësisë relativisht të ulët të popullsisë.

Aktualisht janë duke u vendosur disa nga kufizimet më të rrepta të praktikuara deri më tani, përfshirë ndalimin e shitjes së alkoolit pas orës 10:00 në bare dhe restorante dhe ndalimin e tubimeve prej më shumë se tetë personash.

Sidoqoftë, nuk kanë njoftuar ndonjë propozim për bllokim të përgjithshëm./AlbanianPost.com

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore