Kosova

Mblidhet Kuvendi


Kuvendi i Republikës së Kosovës

Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen sërish këtë të enjte në seancë plenare.

Sipas njoftimit për medie nga administrata e këtij institucioni, duke filluar nga ora 12:00, të përzgjedhurit e popullit në këtë legjislaturë, do të shqyrtojnë e diskutojnë pika e projektligje të pa përfunduara nga seancat e kaluara të kuvendit.

Diskutimet do të fillojnë nga pikat e papërfunduara nga Seanca plenare, e filluar më 2 shkurt dhe vazhduar 22 mars 2023.

Si pikë e parë në rend dite është votimi i Raportit vjetor të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale për vitin 2021, por pika ku pritet diskutimi më i madh është ajo e votimit në parim të Projektligjit për shëndet riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor.

Pritet edhe formimi i një komisioni Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një anëtar të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës nga komuniteti serb.

Gjithashtu do të bëhet përzgjedhja e një anëtari jo ekzekutiv të Bordit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK).

Një nga pikat më të rëndësishme të seancës është votimi i Raportit të Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me menaxhimin e krizës energjetike nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Po ashtu do të bëhet edhe shqyrtimi i grupit parlamentar “Multietnik” për shkarkimin e nënkryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Bekim Arifi.

Një pjesë e seancës do të jetë e okupuar për formimin e Komisionit Ah-hoc për përzgjedhjen e një anëtari të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës nga komuniteti shqiptar, zgjedhjen e tre anëtarëve të Komisionit të Pavarur të Mediave, zgjedhjen e një anëtari të Bordit për Ankesa të Mediave dhe zgjedhjen e një zëvendësi të Avokatit të Popullit nga radhët e komuniteteve që nuk janë shumicë në Kosovë.

Pika e fundit e rendit të ditës është ajo e themelimit të Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me rastet e dhunës seksuale dhe dhunës në familje në Republikën e Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore