Shqipëria

Mblidhet Dhoma e Avokatisë, Haxhia: Diskutuam për hartën gjyqësore


Dhoma e Avokatisë është mbledhur të mërkurën e 29 qershorit për të diskutuar hartën e re gjyqësore.

Kreu i Dhomës së Avokatisë, Maksim Haxhia, ka shprehur se gjatë mbledhjes së Dhomës së Avokatisë kanë diskutuar për vendimin për hartën e re.

“Gjej rastin të shpreh konsideratën për të gjithë kolegët që treguan bashkëpunim. Pa dashur të bëj komplimente, falënderoj median shqiptare që pasqyroi dhe mbështeti problematikën tonë”.

Ndër të tjera, shtoi ai është rast i rrallë kur interesat e një komuniteti bëhen bashkë me mbarë popullin.

“Komiteti në atë mbledhje ishte i mbledhur vetëm për të konstatuar mbarimin e bojkotit e për të hartuar një plan për të ardhmen. Nuk u la nga kolegët e nuk pranuan që t’u prezantohej programi. Unë kam marrë një tur në të gjitha dhomat dhe kam qenë prezent e kam dëgjuar”.

Disa ditë më parë, Haxhia i bëri thirrje qeverisë për të reflektuar, pasi protesta e avokatëve kundër hartës do të përshkallëzohet.

Ai paralajmëroi se mund t’i bojkotojnë edhe proceset gjyqësore për masat e sigurisë.

Ndërsa Avokatët Penalistë nuk kanë vepruar njëjtë si Dhoma e Avokatisë. Do të ishte kreu i saj, Sajmir Vishaj, i cili do të dilte kundër bojkotit.

Vishaj është paraqitur në seancat e tij të GJKKO-së. Ai ka deklaruar nuk mund t’i lënë klientët që kanë paguar.

Ndërsa theksoi se nuk është dakord me bojkotin e gjyqeve, por sugjeron që çështja të shkojë në Gjykatën Kushtetuese për të kundërshtuar Këshillin e Lartë Gjyqësor në lidhje me hartën e re gjyqësore.

Nga ana tjetër, ai ka dënuar presionet ndaj avokatëve se do të merren masa deri në heqje licence.

“Dhoma nuk është një dhomë private, dhomë private për të hequr licenca apo për të bërë presione. Avokati mund të respektojë instancat, por nuk mund të bëjë presion që të heqë licencën”, u shpreh Vishaj para mediave.

Harta e re

KLGJ-ja, pasi ngriti një Grup Ndërinstitucional për të kryer vlerësimin e sistemit gjyqësor, miratoi hartën e re gjyqësore, në të cilën parashikohet një reduktim i numrit të gjykatave në vend.

Sipas hartës së re, vendi do të ketë 12 gjykata nga 22 që ishin më parë.

Ndërsa nga gjashtë gjykata administrative të shkallës së parë do të mbeten dy, një në Tiranë dhe një në Lushnjë dhe një Gjykatë Apeli.

Në deklaratën e KLGJ-së shkruhej se, “Harta e re Gjyqësore do t’i shërbejë optimizimit të burimeve njerëzore dhe financiare, rritjes së eficiencës së gjykatave, përmirësimit të shpejtësisë së gjykimit dhe aksesit në drejtësi të qytetarëve”.

Po ashtu, KLGJ-ja e ka cilësuar hartën si çelësin shumë të rëndësishëm për zgjidhjen e sfidave të sistemit gjyqësor, lidhur me ngarkesën e punës, delegimet, aksesin, koston dhe efektshmërinë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore