Martin Berishaj u intervistua me dyshimet për tri vepra penale nga Prokuroria Speciale

Zëdhënësi i Prokurorisë, Ekrem Lutfiu.

Altina Marmullaku
29.03.2024 19:10
Loading Icons...

“Shpëlarja e parave”, “Shmangia nga tatimi”, “Mosraportimi ose raportimi i rremë , i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”, janë tri veprat për të cilat Prokuroria Speciale e Kosovës (PRSK), e ka intervistuar ambasadorin e Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, të premten.

Përmes një komunikate për media në të cilën është thënë se informimin po e bëjnë për shkak të kuriozitetit të madh të mediave dhe opinionit publik është theksuar se Berishaj është ftuar edhe më herët për intervistim nga ky institucion.

Por, që i njëjti kishte kërkuar që intervistimi i tij të shtyhet, “për shkak të angazhimit të tij si ambasador”.

“Ambasadori Martin Berishaj, edhe më herët është ftuar për intervistim, por vet Berisha kishte kërkuar nga Prokuroria Speciale që të shtyhet intervistimi, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale”, thuhet në komunikatë.

Zëdhënësi i Prokurorisë, Ekrem Lutfiu, pas përfundimit të intervistimit të Berishajt para gazetarëve ka thënë se akoma s’mund të deklaroj diçka konkrete lidhur me rastin e ambasadorit Berishaj.

“As unë nuk jam i informuar, nuk e di çka po ndodh nuk kam informata, të cilat mund t’i ndaj me ju. Kërkoj ndjesë, nuk mund të them asgjë. Prokurorët të gjithë janë në zyrat e tyre”.

“Sikur të kishte aktakuzë ju kishim informuar si gjithmonë, përderisa nuk ka – nuk ju kemi informuar”, tha Lutfiu.

Zëdhënësi i Prokurorisë, Ekrem Lutfiu.

Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, për rreth 8 orë resht të premten është intervistuar nga Prokuroria Speciale në Prishtinë.

Berishaj pas përfundimit të intervistimit është parë nën shoqërimin e avokatit të tij, Tomë Gashi.

Avokati Gashi ka potencuar se Berishaj ka dhënë deklaratën e tij në Prokurorinë Speciale për, siç tha ia, “pretendimet që kanë dal në media”.

Gashi nuk ka dhënë detaje mbi deklaratën e Berishajt në Prokurori me arsyetimin se ka qenë “konfidenciale”.

“Deklarata e tij është konfidenciale . Unë për shkak të kësaj situate si avokat i Martinit nuk mundë të ju them asgjë për përmbajtjen e kësaj deklarate”.

Për intervistimin e Berishajt detaje nuk ka dhënë as Prokuroria Speciale.

Siç kishte mësuar Albanian Post nga burime brenda Prokurorisë, Berishaj është intervistuar për përfshirjen në afera korruptive dhe shpëlarje parash.

Në ndërkohë intervistimi i tij ishte konfirmuar edhe nga Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj.

Intervistimi i Berishajt kishte nisur rreth orës 8:00 të mëngjesit.

Rasti i Martin Berishaj

Vitin e kaluar mediat sllovene raportuan për një skandal të madh financiar ku ishte i përfshirë edhe ambasadori Berishaj.

Në artikullin e TV Planet thuhej se Martin Berishaj kishte kompani në Mal të Zi me emrin MB Consulting dhe paguhej si konsulent nga kompania e energjisë elektrike GEN-I dega në Beograd.

Më vonë, do pranohej nga vetë Berishaj se është e vërtetë që ka kompani me këtë emër dhe gjithashtu është e vërtetë se u pagua nga GEN-I dega në Beograd.

Berishaj veç marrjes së parave dhe kompanisë në Mal të Zi, ai po dyshohet se një pjesë të parave të marra në Beograd nga GEN-I i ka sjellur edhe në Kosovë.

Ato para të Berishajt dyshohet se financuan fushatat e Lëvizjes Vetëvendosje dhe Listës Guxo.

Në anën tjetër, në Kosovë Berishaj akuzohet nga Prokuroria Themelore për “mos-deklarim të pasurisë apo deklarim të rrejshëm të pasurisë” dhe nga Prokuroria Speciale për “shpëlarje parash”.

Ekziston po ashtu edhe një kallëzim penal për Berishajn i cili dyshohet se ka bërë evazion fiskal dhe nuk ka paguar taksa.

Përkundër këtij skandali me përmasa rajonale, Berishaj ka mbetur i paprekur në pozitën e tij.

Deri më tani, Presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, i janë vënë në mbrojtje Berishajt dhe thonë se s’kanë arsye ta shkarkojnë.

Ai vazhdon të jetë përfaqësuesi i Kosovës në shtetin mik të Kroacisë.

Të fundit

Aktuale