Kosova

Maqedonci: Tri brigada serbe janë shumë afër kufirit me Kosovën


Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka thënë se tri brigada serbe janë shumë afër kufirit me Kosovën, duke përbërë një kërcënim për paqen dhe sigurinë jo vetëm në rajonin ballkanik, por edhe më gjerë.

“Një zbarkim i trupave serbe jo larg territorit tonë, tri nga katër brigada serbe janë vendosur në jug të Serbisë, jo shumë larg kufirit me Kosovën. Këto tri brigada kanë tejzgjatje operacionale, 28 baza ushtarake dhe 20 të xhandarmërisë janë në distancë nga 300 metra deri pesë kilometra larg kufirit të Kosovës”, tha Maqedonci gjatë një interviste në A2 CNN.

Ai ka shtuar se militarizimi i Serbisë paraqet kërcënim të përhershëm për paqen e stabilitetin, jo vetëm për Ballkanin Perëndimor, por edhe më gjerë.

“Ky militarizim po bëhet në vazhdimësi. Kemi një rritje të buxhetit për mbrojtjen në Serbi. Një pajisje me sistem armatimi nga Rusia, Kina e Irani”.

Maqedonci është pyetur edhe për raportimet në shtypin serb se Beogradi ka thirrur rezervistët për stërvitje masive në mënyrë që të jetë i përgatitur për emergjencë kombëtare.

“Serbia po tenton të rrisë edhe personelin ushtarak që t’i përgatisë për ndonjë momentum të caktuar që t’i shfrytëzojë për çështje të destabilizimit të Ballkanit Perëndimor. Serbia ka probleme me rekrutimin e personelit për forcat e saj të armatosura dhe po tenton që përmes presionit t’i detyrojë të paraqiten”, nënvizoi ai.

Lidhur me avancimin e Kosovës si anëtare e asociuar e Asamblesë Parlamentare të NATO-s, Maqedonci theksoi se Kosova është e përgatitur për të qenë pjesë e strukturave të aleancës.

“Kosova është e përgatitur për të qenë pjesë e strukturave të NATO-s. Forcat tona janë duke u stërvitur. Vendi ynë ka treguar se ne e meritojmë të jemi drejt anëtarësimit. Kosova është e vendosur për të ecur drejt rrugëtimit në NATO e BE”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore