Kosova

Maqedonci: Përderisa grupi i Radojiçiç-it është i lirë, situata e sigurisë mbetet fragjile


Ejup Maqedonci

Në vlerësimin e Ministrit të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, përderisa kryekrimineli Milan Radojiçiç, është i lirë, situata në Veri të vendit vazhdon që të mbetet e brishtë në atë pjesë të Kosovës.

Këto komente, Maqeodnci i ka bërë në një intervistë për “A2CNN”, në ditën kur Radojiçiç-it dhe 44 terroristëve të tjerë iu ngrit aktakuzë nga Prokuroria Speciale e Kosovës për sulmin në Banjë të Zveçanit, më 24 shtator të vitit të kaluar, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.

“Përderisa grupi i Radojiçiç vazhdon të mbetet i lirë në Serbi, përderisa politika e Serbisë inkurajon grupe të tilla që të vazhdojnë të operojnë, normalisht që situata mbetet e fragjile dhe jo vetëm në Kosovë, por edhe në vendet përreth, duke përfshirë edhe vetë Serbinë”, tha Maqedonci.

Sa i përket ngritjes së aktakuzës për rastin Banjska, ministri e konsideroi si lajm të mirë.

“Dëshmon që më të vërtetë Kosova nuk ka ekzagjeruar kur ka paraqitur kërcënimet dhe rreziqet që kanë ardhur nga Serbia dhe nga këto grupe terroriste që kanë operuar në Veri të vendit”, pohoi ai, duke shtuar se për vite me radhë institucionet kosovare kanë ngritur shqetësimin se rreziku mund të vijë nga prezenca e grupeve kriminale që kanë operuar në Veri, të cilat kanë pasur mbështetje të Serbisë.

Por, aktualisht, sipas ministrit, vigjilenca është më e lartë.

“24 shtatori nuk na ka mësuar vetëm neve në Kosovë, por edhe partnerët tanë ndërkombëtarë, që aspekti i sigurisë në Ballkanin Perëndimor është i fragjil, përderisa ekzistojnë ende shtete që synojnë okupimin e aneksimin e pjesëzave të vendeve të tjera, siç është Serbia, e cila mban në Kushtetutën e saj ende Kosovën si pjesë të saj…”.

“Gati 70% e kapaciteteve ushtarake të Serbisë janë të vendosura në jug të territorit të saj, jo larg kufirit me Kosovën dhe inkurajohen grupe të tilla si ai i Radojiçiç për të kryer sulme terroriste me qëllim aneksimi ndaj të territorit të vendit tonë”, shtoi.

Maqedonci potencoi se kjo qasje e Serbisë nuk është vetëm në raport me Kosovën, “është dëshmuar më herët edhe me Bosnje e Hercegovinën, por edhe ndikimi që kanë në situatën e sigurisë në Malin e Zi”.

“Derisa ekziston kjo qasje hegjemoniste e Serbisë në raport me fqinjët e saj, normalisht që rreziku është prezent dhe normalisht që vigjilenca përveç prej nesh dhe është rritur edhe prej partnerëve tanë, posaçërisht prej KFOR-it”.

Përkundër rrezikut që përmend, ministri konsideron se në periudhën e fundit ka pasur “shtrirje të jashtëzakonshme” të sovranitetit, të ligjit e rendit në Veri të vendit.

“Për herë të parë është vendosur administrata në Veri të vendit. Për herë të parë ka ligj dhe rend, janë mbyllur institucionet ilegale dhe jeta e qytetarëve të komunitetit serb që jeton në Veri të vendit është qetësuar jashtëzakonisht shumë, veçanërisht me mungesën e grupeve të tilla siç ka qenë ai i Radojiçiç-it”.

“Normalisht që grupe të ndryshme që operojnë në Serbi mund edhe vazhdojnë të kërcënojnë sigurinë dhe stabilitetin e vendit tonë, edhe siç ishte rasti i inkurajimit të grupeve për të protestuar dhe për të bllokuar rrugët brenda të territorit të Serbisë në drejtim të Kosovës, mirëpo mund të them lirisht se situata në Veri të vendit, pavarësisht tensioneve të shkaktuara më herët nga këto grupe terroriste, është shumë më stabile dhe shumë më e qetë”, u shpreh ai.

“Tentuan ta shkëpusin Veriun nga Kosova e t’ia bashkojnë Serbisë” – aktakuza e Speciales për Radojiçiç-in me bashkëpunëtorë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore