Kosova

Maqedonci falënderon Shqipërinë për mbështetjen e ofruar në të gjitha periudhat e shtetndërtimit


Ejup Maqedonci dhe Pirro Vengu

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, të premten ka pritur në takim homologun e tij, Ministrin e Mbrojtjes së Shqipërisë, Pirro Vengu.

Nëpërmjet një postimi në Facebook, Maqedonci ka njoftuar se e uroi atë për detyrën e re duke shprehur falënderimin e mirënjohjen e thellë ndaj Shqipërisë për mbështetjen në shumë procese të shtetndërtimit.

“Fillimisht i urova ministrit Vengu detyrën e re, ndërsa shpreha falënderimin dhe mirënjohjen e thellë ndaj Republikës së Shqipërisë për mbështetjen vëllazërore të ofruar në të gjitha periudhat e shtetndërtimit, zhvillimit, si dhe në të gjitha të arriturat e deritashme të vendit, sikur edhe të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së”, ka shkruar Maqedonci.

Ministri theksoi se kjo vizitë rastisi në ditën ndërkombëtare e personave të zhdukur me dhunë “si për të kujtuar të kaluarën që pashmangshmërisht ka lënë shumë gjurmë tek kombi ynë”.

Përpos kësaj, Maqedonci, potencoi se gjatë takimit u diskutua për çështjen e zhvillimit të industrisë së mbrojtjes, me fokus që të orientojnë politikat në këtë drejtim.

Sipas tij, rritja e bashkëpunimit në trajnimin e shkollimit e kuadrove ushtarake në tri vitet e fundit ka shënuar një rritje të jashtëzakonshme, duke shtuar se “sektori i industrisë ushtarake dhe themelimi i Qendrës Rajonale për Menaxhimin e Krizave janë objektiva për të cilat kërkohet angazhim i përbashkët”, për realizimin e të cilave Kosova si shtet “është e gatshme të ofrojë të gjitha resurset e nevojshme që i ka në dispozicion”.

Ndërkaq, Vengu në anën tjetër konfirmoi angazhimin e Ministrisë së Mbrojtjes së Shqipërisë në mbështetjen e mëtejme të Ministrisë së Mbrojtjes së Kosovës për “ngritjen e aftësive dhe kapaciteteve operacionale të FSK-së si dhe integrimin e Kosovës në strukturat euroatlantike dhe iniciativat rajonale të sigurisë”.

Ministri u zotua për angazhimin dhe përkushtimin maksimal për të mbështetur vizionin e Kosovës në planin politik, diplomatik dhe atë ushtarak.

Pirro Vengu është emëruar në pozitën e Ministrit të Mbrojtjes në fund të korrikut, pas ndryshmive që bëri kryeministri Edi Rama, në kabinetin qeveritar.

Në këtë pozitë, Vengu e ka zëvendësuar Niko Peleshin. Ministri aktual i Mbrojtjes së Shqipërisë ka mbajtur edhe poste të tjera të rëndësishme në Qeverinë Rama.

Vizita e tij në Kosovë është e para në cilësinë e ministrit, por edhe e para jashtë shtetit që kur ka marrë mandatin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore