Kosova

Maliqi: Serbia marrëveshje me ShBA-në, BE-në e Francën, Kosova ka mbetur në nivelin e Krahinës Autonome Socialiste


Agon Maliqi

Analisti politik dhe aktivisti i shoqërisë civile, Agon Maliqi, ka thënë se përderisa Serbia po nënshkruan marrëveshje me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Evropian e Francën, me ironi ka thënë se Kosova ka mbetur në nivelin e “Krahinës Autonome Socialiste”.

Këto komente, Maliqi i ka bërë përmes një postimi në Facebook, pasi që të mërkurën u nënshkrua marrëveshja në mes të Serbisë dhe ShBA-ve për Bashkëpunim Strategjik në Energji, nga e cila impakti nga investimet e kompanive amerikane në energji në Serbi pritet që të jetë miliardësh.

“Serbia sot nënshkroi marrëveshje të partneritetit strategjik me SHBA-të në fushën e energjisë, për t’u hequr nga gasi rus. Para ca kohe nënshkroi marrëveshje me Francën për blerje avionësh që e përafrojnë ushtarakisht me NATO-n. Paralelisht ia dha Evropës qasjen në minierat e litiumit të cilat i kërkonte edhe Kina”, shkroi fillimisht Maliqi.

Kosova ndërkohë, potencon ai, jo vetëm që nuk po siguron njohje dhe investime, “por e ka humbur edhe mbështetjen e atyre shteteve që i kishte në bosht, e po rrezikon të përjashtohet edhe nga mekanizmat rajonalë të ekonomisë si CEFTA apo Procesi i Berlinit”, duke iu referuar paralajmërimeve të zyrtarëve të lartë gjermanë.

“Ndërkohë, krejt ky rrënim drastik i pozitës së Kosovës, në sytë e kuazi inteligjencës kosovare që ka mbetur në nivelet e Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës, dhe ka sharruar me dëshirë në lloqin e delireve populiste, vazhdon të shihet si shenjë e një strategjie gjeniale dhe lidershipi vizionar”, shtoi.

Sipas tij, metaforë më të mirë se ajo situatë kryeministrit me tabelë nuk mund të ketë, ku gaboi një detyrë matematikore të klasës së gjashtë, me një të panjohur.

Çka ndodhi?

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Serbia kanë nënshkruar të mërkurën Marrëveshje për Bashkëpunim Strategjik në Energji.

Marrëveshja është nënshkruar në Beograd, në mes të nënsekretarit amerikan për Rritjen Ekonomike, Energjinë dhe Mjedisin, Jose W. Fernandez dhe Ministrit të Jashtëm të Serbisë, Marko Gjuriç.

Ky dakordim i dy shteteve përkatëse është për bashkëpunimin strategjik SHBA-Serbi në fushën e energjisë në Serbi.

“Kjo marrëveshje do të zgjerojë mundësitë për kompanitë amerikane për të investuar në sektorin energjetik të Serbisë, duke përfshirë promovimin e investimeve amerikane që do të forcojnë partneritetin strategjik SHBA-Serbi”, thuhet në njoftimin e Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH).

Aty theksohet se kjo marrëveshje “përfaqëson një përpjekje shumëvjeçare, që përfshin vëmendjen e ngushtë të specialistëve nga pesë agjenci amerikane”.

Ky angazhim i burimeve, sipas DASH-it, pasqyron mbështetjen e fortë të qeverisë së SHBA për investitorët amerikanë dhe projektet e energjisë së pastër, “si një mjet për të nxitur një tranzicion të gjelbër dhe një zhvillim të qëndrueshëm”.

ShBA-të, potencohet aty, mbështesin fuqimisht standardet e larta të hapjes dhe transparencës në prokurimet publike që përcaktohen nga organizata shumëpalëshe, duke përfshirë Organizatën për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD), Komisionin e Kombeve të Bashkuara për të Drejtën Tregtare Ndërkombëtare (UNCITRAL), Botëror Banka dhe Organizata Botërore e Tregtisë (OBT), dhe “inkurajon Serbinë që të bashkohet me ne në miratimin e këtyre standardeve”.

Impakti nga investimet e kompanive amerikane në energji në Serbi pritet që të jetë miliardësh.

Në Marrëveshjen e Uashingtonit (4 shtator 2020), e arritur nga ish-Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, në prani të ish-presidentit të SHBA-ve, Donald Trump, parashihej që të kishte edhe me Kosovën marrëveshje në fushën e energjisë.

Mirëpo, Kosova ka refuzuar zbatimin e kësaj marrëveshje. Madje, pushteti aktual, që drejtohet nga Lëvizja Vetëvendosje, përkatësisht Albin Kurti, e kishte konsideruar si të dëmshme për vendin.

Ndryshe, së fundmi Serbia ka nënshkruar marrëveshje të rëndësishme edhe me Bashkimin Evropian, për litiumin serb.

Po ashtu, marrëveshje Serbia ka nënshkruar edhe më një nga vendet më të fuqishme të BE-së, Francën, për blerjen e avionëve luftarakë “Rafale”.

Amerika nënshkruan marrëveshje miliardëshe me Serbinë në fushën e energjisë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore