Kosova

Mali i Zi do ta shqyrtojë rritjen e numrit të ushtarëve në KFOR


Ilustrim

Ministri i Mbrojtes së Malit të Zi, Dragan Krapoviç, në një konferencë të përbashkët për shtyp me kryetarin e Komitetit Ushtarak të NATO-s, Rob Bauer, deklaroi se Mali i Zi do të vazhdojë të mbajë prezencën ushtarake në Kosovë në kuadër të Forcës së NATO-s (KFOR), ndërsa rritja e numrit të pjesëtarëve të ushtrisë malazez në KFOR ende pritet të shqyrtohet.

Në pyetjen e gazetarëve se pse Mali i Zi nuk merr vendim për rritjen e numrit të ushtarëve në misionin e KFOR-it në Kosovë – nga mbi 4 mijë pjesëtarë, vetëm dy janë malazezë – ministri Krapoviç theksoi se një iniciativë e tillë mund të dërgohet në Kuvendin e Malit të Zi nga Këshilli i Sigurisë dhe Mbrojtjes nëse është e nevojshme, raportoi gazeta “Vijesti” të martën.

“Ne do të kemi ushtarë në Letoni dhe Bullgari, por do të vazhdojmë të dërgojmë ushtarë edhe në Kosovë dhe Irak. Sa i përket agresionit rus kundër Ukrainës, ne do të dërgojmë ushtarë në përputhje me detyrat e NATO-s. KFOR-i është i mirëpritur për të dyja palët – Kosovën dhe Serbinë – nëse ka nevojë për rritje, kjo çështje duhet të jetë në agjendë”, tha Krapoviç.

NATO ka shtuar numrin e ushtarëve në Kosovë. Rreth 1 mijë ushtarë në kaudër të KFOR-it kanë zbarkuar në vend. Mbretëria e Bashkuar ka dislokuar rreth 200 ushtarë për t’iu bashkuar kontingjentit britanik prej 400 trupash, ndërsa Rumania ka dislokuar rreth 130 ushtarë pas përshkallëzimit të situatës në veri, përkatësisht pas sulmit terrorist në Banjë të Zveçanit.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut po ashtu ka marrë vendim që të shtojë numrin e pjesëtarëve të ushtarëve të saj në KFOR. Në linjë me zhvillimet aktuale edhe Sllovenia ka rritur numrin e ushtarëve në misionin paqeruajtës të NATO-s. Aktualisht 90 ushtarë sllovenë janë në misionin e NATO-s në Kosovë, ndërsa numri pritet të rritet për të paktën 100.

Më 5 dhjetor 2023, batalioni italian nga Forca Rezervë Operacionale e NATO-s (NRFC) është vendosur në Kosovë. Turqia ka dislokuar një batalion të këmbësorisë së Forcave të Armatosura (TSK) pas zhvillimeve të fundit, kurse Kroacia miratoi pjesëmarrjen e deri 160 pjesëtarëve të Forcave të Armatosura të Kroacisë (HKoV) në misionin paqeruajtës në Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore