Kosova

“Lufta” me milionat e Kosovës në Preshevë


Lugina e Presheves

“Gjithë karrierën e tij e ka ndërtuar duke i akuzuar të tjetër dhe duke i dërguar në gjykata të Vrajës, Nishit – pra nëpër Serbi, ndërsa tani ka filluar që të dalë në një dimension tjetër e që është në kuadër të plotësimit të egos së tij për të marrë vëmendje dhe hapësirë mediatike në Kosovë për gjoja se ka zbuluar ndonjë gjë”, ka deklaruar kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Ragmi Mustafa, në një prononcim për Albanian Post, duke iu kundërpërgjigjur pretendimeve të kryetarit të Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi, për keqpërdorime të fondeve të Qeverisë së Kosovës të ndara për Luginën e Preshevës.

Mustafa shtoi se edhe akuzat që Arifi i ka bërë në drejtim të tij nuk qëndrojnë dhe janë të pabaza, “madje ashtu siç i kam sqaruar në gjykatat në Serbi, jam i gatshëm që edhe tash t’i sqarojë edhe në gjykatat e Kosovës, dhe këtë do ta bëjë me dëshirën më të madh”.

Ragmi Mustafa

“Deri sot, nga atëherë kur ka filluar asnjë shqiptar nuk është arrestuar pas akuzave të tij. Pra, ai e bënë një akuzë, më pas gazetat e marrin dhe e bëjnë fakt, e mbi atë ‘fakt’ e bëjnë një politikë të caktuar”.

Arifi ka akuzuar Mustafën që nga pozita e kryetarit të Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve, bashkë edhe me këshilltaren e kryeministrit të Kosovës, Ardita Sinanin, zëvendës-kryeministrin Besnik Bislimi, ministrin Liburn Aliu e të tjerë se kanë keqpërdorur një fond prej 2 milionë eurove të ndarë nga Qeveria e Kosovës për Luginën.

Sipas Arifit fondet janë shpërndarë joporpocionalisht dhe kanë përfunduar tek njerëzit e afërt të atyre që akuzon.

“Pra, paratë kanë ardhur prej qeverisë, Besnik Bislimi është pjesë e ekzekutivit dhe djali i axhës vet ka marrë para për që të lobojë në Amerikë për Luginën e Preshevës, me një kompani që as licencë nuk ka për lobim, por as tetë muaj nuk i ka pasur që nga themelimi i saj”, ka deklaruar Arifi për Albanian Post.

Përtej kësaj, ai shtoi se “është ekstrem rreth i ngushtë ku janë shpërndarë këto para, që le për të kuptuar se është indikator i asaj që parat kanë dashur t’i mbajnë në një rreth të ngushtë për një qëllim tjetër”.

Shqiprim Arifi

Por, sipas Ragim Mustafës asnjë nga akuzat e Arifit nuk qëndron, derisa ky ka të vetat për Arifin.

“Në anën tjetër, ai ka lidhje jashtëzakonisht të mira, tanimë të dëshmuara me partinë SNS të Vuçiç-it – i cili në vazhdimësi e ka favorizuar dhe ndihmuar për ta kontrabanduar pushtetin në Preshevë, ku e ka zgjedhur vetën si kryetar, pasi që e ka rrëzuar Ardita Sinanin”.

Gjithashtu, Mustafa nënvizoi se i pari i Preshevës është i inspiruar dhe i nxitur nga disa “eksponentë të partive opozitare në Kosovë”.

“Qasja e zotit Arifi është qasje infantile mbi zhvillimet politike që janë duke ndodhur në Luginë dhe posaçërisht në raport me dialogun Kosovë – Serbi”.

Ai tha se sa herë që vjen në rend dite zgjidhja e ndonjë problemi kolektiv të shqiptarëve, vazhdimisht ndodh diçka e jashtëzakonshme për ta tërhequr vëmendjen nga problemet reale.

“Tani është jashtëzakonisht e rëndësishme që çështja e Luginës së Preshevës të jetë pjesë e marrëveshjes së mundshme përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve, sepse ka për qëllim vendosjen e paqes së qëndrueshme, stabilitetit, prosperitetit të këtij rajoni – e kjo nuk mund të arrihet nëse nuk trajtohet edhe çështja e  Lugina së Preshevës – e që duhet të jetë në mënyrë reciproke me serbët në Kosovë”.

Mustafa madje shtoi se Arifit i duhet trajtim psikologjik për gjendjen mendore në të cilën gjendet “dhe kjo të bëhet sa më shpejtë që është e mundur”.

Të martën Kryetari i Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi, ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Speciale të Kosovës për Këshillin Kombëtar Shqiptar nën akuzat për “keqpërdorimin e mjeteve të Qeverisë së Kosovës nga ana e Këshillit”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore