Jetesë & Stil

Lirohet nga burgu ikona e komedisë amerikane, Bill Cosby


Krejt papritur është liruar nga burgu ikona e komedisë amerikane, Bill Cosby, i cili gjendej pas hekurave për shkak të akuzave për sulme seksuale.

Ani pse, Cosby, nuk ka dhënë asnjë deklaratë për media, njëjtë nuk ka vepruar edhe zëdhënësi i tij, Andrew Wyatt, i cili tha se kësaj here drejtësia kishte funksionuar dhe këtij lajmi duhet t’i gëzohen të gjithë.

“Është një ditë e bukur, jo vetëm për Bill Cosby por për të gjithë sepse kjo ka të bëjë me amerikanët në përgjithësi, duke u siguruar që ata të marrin drejtësi,” tha zëdhënësi Andrew Wyatt në reagimin e tij pas lirimit nga burgu të 83 vjeçit, Bill Cosby.

Tutje, Wyatt, vazhdoi duke treguar se ai është një nga personat që lufton për drejtësi dhe shfajësim të personave të pafajshëm.

“Dhe ju e dini, kjo ishte një luftë për drejtësi. Dhe kjo është ajo për të cilën unë luftoj çdo ditë – drejtësia dhe shfajësimi për njerëzit të gjykuar gabimisht nga sistemi gjyqësor”, ka thënë ai.

Zëdhënësi i Cosby-t, ka mohuar të gjitha akuzat të bëra nga gratë nëpër gjykatat amerikane.

“Kjo është një ditë e bukur gjithashtu edhe për gratë. Mijëra mbështetës dhe qindra gra na kanë kontaktuar gjatë kësaj periudhe duke na thënë se ato e dinë që akuzat janë të pabaza dhe jo të vërteta”, shtoi zëdhënësi.

Deklarata e zëdhënësit ka përfunduar duke e cilësuar Cosby-n si “thesar amerikan”.

“Më e bukura e gjithë kësaj është që ju më nuk mund ta quani atë ‘përdhunues’. Nuk mund t’i thoni këto gjëra të tmerrshme, sepse tani ai është përsëri, Bill Cosby, thesari amerikan dhe kombëtar”, ka përfunduar ai.

Ndryshe, Bill Cosby u dënua nën akuzat e sulmit kundër, Andrea Constand, dhe u dënua me tre deri në 10 vjet pas hekurave.

Por, ai u lirua pas pak më shumë se dy vjetësh teksa u shpall i pafajshëm nga gjykata amerikane.

Gjithsesi, Constand, nuk ishte e vetmja që hapi padi gjyqësore ndaj Cosby-t, pasi njëjtë vepruan plot gra të tjera të cilat adresuan akuza për ngacmime seksuale kundrejt ikonës së komedisë amerikane.

Ndërsa, Bill Cosby emri i vërtetë i të cilit është William Henry Cosby është një komedian, aktor dhe autor i pensionuar amerikan, i cili kishte një karrierë aktive dhe shumë të suksesshme për më shumë se gjashtë dekada.

Mes suksesesh të tij më të mëdha vazhdon të mbetet debutimi i tij me  “The Cosby Show”, në vitin 1984.

“The Cosby Show”.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore