Biznes

Lidhja mes personalitetit dhe suksesit


Menaxheri modern duhet të luajë rolin e trajnerit në drejtim të ekipit të tij. Ai duhet të ketë njohje mes personaliteteve të ndryshme që menaxhon dhe rolin që luajnë në ekip.

Profesori i asociuar në Universitetin McGill në Kanada, Karl Moore, ka shkruar së fundmi dy artikuj mbi rolin e llojit të personalitetit në të bërit biznes. Një nga dallimet kryesore vjen prej të qenit introvert, apo ekstrovert.

Sipas tij, rreth 40% e popullsisë janë introvertë, 40% ekstrovertë dhe 20% janë “ambivertë”, një kategori që shfaq karakteristika nga të dy krahët. I natyrshëm është prezumimi se ekstrovertët kanë mundësi t’ia dalin më mirë në botën e biznesit.

Një studim akademik ka zbuluar se ekstrovertët kanë 25% më shumë mundësi të zënë vende pune me pagë të lartë, krahasuar me ata që janë më të mbyllur. Me sa duket, të pasurit e një pune me pagesë të lartë, u jep njerëzve më shumë vetëbesim, duke i bërë më të çlirët, ndonëse personaliteti përcaktohet herët në jetë.

Studimi ka zbuluar gjithashtu se fëmijët e profesionistëve kanë më shumë gjasa të jenë ekstrovertë. Ndoshta nga fakti që fëmijët e rritur në shtëpi të begata ndeshen me më pak ndodhi,  që u shkaktojnë stres apo u ulin vetëbesimin.

Njerëzit me vetëbesim më të lartë kandidojnë për pozicione pune më prestigjioze. Ata janë më të  prirë të besojnë se përpjekjet e tyre do të shpërblehen; ata me ide negative për veten mund të ndiejnë se nuk ia vlen të përpiqen shumë.

Kështu, introvertët nuk duhet ta humbasin shpresën se mund t’u ngjiten majave të thepisura.

Një studim i vitit 2017, tregoi se introvertët janë pak më të prirë se ekstrovertët për të tejkaluar  pritshmëritë e bordeve dhe investitorëve kur ndodhen në role të larta ekzekutive.

Ambivertët mund të jenë shitës shumë të mirë, sepse ata janë të aftë të dëgjojnë klientët dhe t’i kuptojnë nevojat e tyre, por njëkohësisht kanë aftësi për të shitur mallrat e shërbimet e kompanive për të cilat punojnë. Moore mendon se drejtuesit e suksesshëm, duhet të kthehen në ambivertë herë pas here për t’u dalë situatave.

Introvertët duhet të tregojnë më shumë entuziazëm, ose të mbajnë fjalime nxitëse kur ua kërkon situata. Po ashtu, ekstrovertët duhet të qepin gojën dhe të dëgjojnë ekipet e tyre, edhe sepse nëse shefi flet i pari, vartësit do të hezitojnë të shfaqin mos-dakordësi.

Autori i këtij shkrimi (Bartleby), i cili është një introvert, por çuditërisht nuk ka dëshirë të flasë për këtë, mendon se “çelësi” është të mos anosh shumë nga asnjëra prej të dyjave.

Një ekstrovert ekstremist rrezikon të ngjajë shumë i shkëputur në menaxhimin e një ekipi, dhe mund të mos ketë aftësi të frymëzojë të tjerët. Por një ekstrovert ekstremist mund ta mbysë një biznes, me menaxherët e tjerë që e kanë të pamundur ta përmbajnë.

Ka mundësi që nisja e një sipërmarrjeje kërkon një nivel të konsiderueshëm vetëbesimi, por askush nuk mund të vendosë drejt për çdo gjë dhe ka raste kur edhe vetë sipërmarrësi ka nevojë për ekspertizën e njerëzve të tjerë.

Në të njëjtën masë, menaxherët duhet të mendojnë për llojet e personaliteteve kur drejtojnë mbledhjet. Është shumë e mundur që mbledhjet të dominohen nga ekstrovertët, të cilët priren të flasin më zë më të lartë dhe më shpesh se të tjerët. Introvertët mund të mos kontribuojnë asnjëherë në diskutime.

Në librin “Të drejtosh mbledhje të cilat sjellin rezultate”, Jon Baker thotë se një mënyrë është të vënit në dispozicion të materialeve përpara se të nisë mbledhja. Introvertët, shkruan ai, “nuk debatojnë diçka në mënyrë efikase nëse janë akoma duke u njohur me materialin. Nëse menaxheri dëshiron të marrë pikëpamjet edhe të personave që priren ndaj detajeve, duhet t’u japin kohë këtyre të fundit të absorbojnë informacionin”.

Baker sugjeron gjithashtu që menaxherët të inkurajojnë introvertët të marrin pjesë në diskutime, duke bërë pyetje specifike brenda fushës së tyre të ekspertizës. Një qasje tjetër është të kërkojë nga ekipi të shkruajnë idetë e tyre në vend të diskutimit verbal.

Në teori, qasja duhet të përmirësojë cilësinë e diskutimeve. Në fund të fundit, nëse nuk konsiderohen me vlerë mendimet e ekstrovertëve, atëherë përse të ftohen nëpër mbledhje?

Çfarë ua vështirëson jetën menaxherëve, është fakti se njerëzit nuk e mbajnë të shkruar në ballë se çfarë lloj personaliteti kanë. Rrallëherë ata e bëjnë shumë të dukshme.

Kjo do të thotë se u takon menaxherëve të shpenzojnë më shumë kohë duke biseduar me ata, duke i vëzhguar pjesëtarët e ekipit përpara se të vendosin se cila është mënyra më e mirë për t’i motivuar apo frymëzuar. Menaxherët duhet të jenë më pak si Henry Ford-i, dhe më shumë si Sigmund Freud-i.

Përshtatur nga The Economist për Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore