Kosova

Liderët politikë nderojnë Zahir Pajazitin dhe ushtarët e tij në përvjetorin e rënies së tyre


Në nder të 25-vjetorit të rënies së Zahir Pajazitit, Hakif Zejnullahut e Edmond Hoxhës – krerët e shtetit, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri, Albin Kurti, fillimisht bënë homazhe tek shtatorët e heronjve në Sheshin e Dëshmorëve në Podujevë.

Vjosa Osmani dhe Albin Kurti.

Më pas, dyshja, Osmani e Kurti, duke vlerësuar lartë sakrificën e heronjve për lirinë e Kosovës, ata bënë homazhe dhe vendosën kurora lulesh edhe tek varri i heroit, Pajaziti, në Kompleksin Memorial në Orllan.

Pos kësaj, presidentja dhe kryeministri i vendit kanë bërë homazhe dhe kanë vendosur lule edhe pranë bustit të heroit në sheshin, Zahir Pajaziti në Prishtinë.

Po ashtu, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi ka përkujtuar heronjtë Zahir Pajazitin, Hakif Zejnullahun dhe Edmond Hoxhën, në përvjetorin e 25-të të rënies së tyre.

Duke shprehur homazhe, përmes një postimi në llogarinë e tij të Facebook, i pari i PDK-së, ka  thënë se të tre heronjtë “janë dritë mbi ditët e bardha të Kosovës”.

Memli Krasniqi – Kryetar i PDK-së.

“Ata që i kanë njohur këta trima, thonë se jetonin për ta dhënë jetën për Kosovën. Për lirinë që, megjithëse nuk e pritën të gjallë, në mendje dhe shpirt e ndjenin se ajo do të vinte përmes guximit e sakrificës së tyre”, ka shkruar Krasniqi.

“Sot, Zahiri, Hakifi e Edmondi, me mijëra çlirimtarë të tjerë që u flijuan në rrugën e çlirimit, janë bërë dritë mbi ditët e bardha të Kosovës. Lavdi e përjetshme!”, ka shtuar ai.

Gjithashtu edhe Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka përkujtuar heronjtë, duke thënë se rënia heroike e komandant Zahirit me shokë, është një ndër aktet më sublime në kapitullin e luftës së Kosovës për liri.

Përmes një postimi në  Facebook, Konjufca, e ka quajtur “të parabarabartë” përballjen e treshes së heronjve me forcat serbe, duke shtuar se ata kishin vendosur të vdisnin në këmbë duke refuzuar gjunjëzimin.

Glauk Konjufca – Kryetar i Kuvendit te Kosoves.

“25 vite më parë, në një përballje të pabarabartë me forcat pushtuese serbe, në Pestovë të Vushtrrisë, u përjetësuan në altarin e lirisë strategët dhe themeluesit e bazave të para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – heronjtë e kombit Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha”, ka shkruar Konjufca.

“Rënia heroike e komandant Zahirit me shokë shënon një ndër aktet më sublime në kapitullin e luftës sonë për liri dhe çlirim nga Serbia. Ata vendosën të të vdesin në këmbë, duke mos e pranuar gjunjëzimin. Dhe kështu e frymëzuan një popull të tërë në rrugën e pakompromis të çlirimit”, ka shtuar ai.

Komandantin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Zahir Pajazitin dhe bashkëluftëtarët e tij, Edmond Hoxha e Hakif Zejnullahin, i ka përkujtuar edhe nënkryetari i Kuvendit nga radhët e PDK-së, Enver Hoxhaj.

Edhe Hoxhaj, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se jeta dhe vepra e treshes heorike janë udhërrëfyes për Kosovën.

Enver Hoxhaj – Nënkryetar i Kuvendit nga radhët e PDK-së.

“Sot, kujtojmë jetën dhe heroizmin e komandantit më të shquar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Zahir Pajaziti dhe bashkëluftëtarëve të tij, Edmond Hoxha e Hakif Zejnullahu”, ka shkruar Hoxha.

“Jeta dhe vepra e tyre dhe e gjithë luftëtarëve të lirisë do të mbeten gjithmonë udhërrëfyes për ngritjen e shtetit që me sakrificën e tyre u arrit liria dhe pavarësia”, ka shtuar ai.

Zahir Pajaziti u vra bashkë me Hakif Zejnullahun dhe Edmond Hoxhën dhe ishte një ndër komandantët më të shquar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Më 31 janar 2008, në 11 vjetorin e rënies, ish -Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu i akordoi Zahir Pajazitit dekoratën më të lartë shtetërore të Kosovës, Urdhrin “Hero i Kosovës”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore