Lajme

Liderët kosovarë reagojnë pas aksidentit të rëndë në Kroaci


Ilustrim, Foto nga vendi i ngjarjes së aksidentit të ndodhur në Kroaci

Pas raportimeve të aksidentit të rëndë në Slavonski Brod të Kroacisë, ku thuhet se si pasojë kanë vdekur 10 persona, ka reaguar Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ka thënë se Kosova do të jetë në krah të familjeve të atyre që humbën jetën, sikurse edhe të të lënduarve.

Osmani përmes një shkrimi në llogarinë e saj në Facebook, ka thënë se ky lajm tragjik e i rëndë për Kosovën është “një dhimbje e papërshkrueshme dhe shumë e madhe”.

“Me zemër e me shpirt sot jemi me familjet që humbën më të dashurit në këtë tragjedi. Dhimbja është e papërshkrueshme e humbja shumë e madhe. Ngushëllime të sinqerta për të gjithë. Shteti i Kosovës do të jetë në krah të familjeve të atyre që humbën jetën, sikurse edhe të të lënduarve, të cilëve ju dëshiroj shërim të shpejtë”, ka shkruar Osmani.

Presidentja Osmani ka treguar se tashmë zyrtarët e institucioneve të Kosovës tashmë janë nisur drejt Kroacisë për t’u dalë në ndihmë qytetarëve të përfshirë në këtë aksident.

Lidhur me këtë ngjarje ka reaguar edhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili ka treguar se ndonëse nuk ka ende konfirmime zyrtare për detajet, Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, është nisur drejt Kroacisë.

Kështu ka treguar Kurti përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, duke u lutur që numri i të vdekurve të jetë sa më i vogël.

“Me pikëllim të thellë e morëm lajmin për aksidentin tragjik në Kroaci, të një̈ autobusi me targa të Kosovës. Lutemi të ketë sa më pak të vdekur e sa më shpejt të shërohen të lënduarit. Ministri ynë i Punëve të Brendshme po niset për Kroaci, ndërkaq drejt vendit të aksidentit te autostrada e Sllavonski Brodit tashmë është nisur ambasadori ynë në Zagreb”, ka shkruar Kurti.

“Me ankth e shpresë jemi pranë qytetarëve tanë dhe familjeve të tyre në këto çaste të rënda”, shtoi ai.

Në anën tjetër, edhe Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Facebook, ka shprehur lutjet e tij që të ketë sa më pak viktima.

“Në mëngjesin e sotëm ka ndodhur një aksident i rëndë në autostradën Slavonski Brod në Kroaci! Autobusi ishte i linjës Frankfurt-Prishtinë, i mbushur me bashkatdhetarë. Duke u lutur që të ketë sa më pak viktima, bashkëndjejmë të pikëlluar me familjarët e bashkatdhetarëve që u aksidentuan në këtë ngjarje të trishtë”, ka shkruar Konjufca.

Pas këtij rasti tragjik, Ministri i Mbrojtjes në Kosovë, Armend Mehaj, ka thënë se “janë marrë të gjitha masat e duhura për të menaxhuar këtë fatkeqësi me kujdesin maksimal spitalor për të lënduarit dhe atë akomodues për të tjerët”.

Kështu ka shkruar Mehaj në llogarinë e tij në Facebook, ku ka treguar se menjëherë pas marrjes së lajmit të kobshëm për aksidentin tragjik, ka kontaktuar ministrin e Punëve të Brendshme të Kroacisë, Davor Bozhinoviç, nga i cili është njoftuar me situatën dhe pasojat tragjike.

“Me dhembje të madhe, bashkëndjej thellë me familjarët që pritnin më të dashurit të arrijnë sa më parë në përqafimin e tyre. Me zemër të thyer u shpreh ngushëllimet e thella familjarëve që humbën më të dashurit tanë, e të lënduarve shërim sa më të shpejtë. Ne jemi dhe do të jemi pranë jush në çdo moment dhe çdo rrethanë”, ka shkruar Mehaj.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka shprehur ngushëllimet e tij për familjarët që humbën më të dashurit e tyre në këtë aksident.

“Me trishtim mora lajmin e rëndë për aksidentin tragjik në Kroaci të një autobusi me bashkatdhetarë që po udhëtonte nga Gjermania drejt Kosovës. Shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjet që sot humbën më të dashurit e tyre dhe të lënduarve u uroj shërim të shpejtë”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.

Po ashtu ai i ka falënderuar autoritetet kroate “që po bëjnë gjithçka për t’iu gjendur pranë të aksidentuarve”.

Ndërsa, Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, në këtë ditë të rëndë për Kosovën, ka thënë se duke pritur në ankth “jemi me mendje e zemër me familjet e atyre që ishin udhëtarë në këtë rrugëtim të dhimbshëm”.

“Lutemi për sa më pak viktima në këtë ditë tragjike për Kosovën”, ka thënë Abdixhiku duke shtuar se në raste të tilla “edhe fjalët humbin”.

I tronditur nga ngjarja tragjike, pas aksidentit që pësoi autobusi, ka shkruar edhe Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili ka falënderuar organet e shtetit kroat për interesimin dhe kujdesin.

“Bashkëndjej me familjarët e dhjetë udhëtarëve që humbën jetën dhe lutemi për shërimin e shpejtë të të lënduarve. Falënderoj organet e shtetit kroat, e në veçanti kryeministrin, Andrej Plenkoviç për interesimin dhe kujdesin e tij”, ka shkruar Haradinaj.

Edhe Kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, i ka shprehur ngushëllimet e tij për familjarët që humbën të afërmit e tyre në këtë aksident.

“Një aksident tragjik, me së paku 10 viktima ka ndodhur këtë mëngjes në Brod të Kroacisë me autobusin kosovar të Deva Tours. Ngushëllimet e mia më të sinqerta familjarëve! Të lutemi po ashtu për shërimin e shpejtë të mbijetuarve”, ka shkruar Pacolli në Facebook.

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka reaguar pas aksidentit tragjik që ndodhi në orët e hershme të mëngjesit të së dielës në Kroaci.

Ai u ka shprehur ngushëllime familjeve që si pasojë e këtij aksidenti kanë humbur jetën 10 qytetarë.

“Jam i tronditur me ngjarjen tragjike të mëngjesit të sotëm, ku në Kroaci, një autobus i linjës Gjermani – Kosovë, është aksidentuar, më ç’ rast sipas raportimeve, fatkeqësisht ka edhe viktima. Ngushëllimet më të sinqerta familjeve që kanë humbur më të dashurit e tyre dhe shërim sa më të shpejt për udhëtarët që kanë pësuar lëndime në këtë aksident tragjik”, ka shkruar Limaj.

“U jemi tejet mirënjohës autoriteteve në Kroaci për angazhimin e menjëhershëm për tu dalë në ndihmë udhëtarëve që po ktheheshin nga Gjermania për në vendlindje”.

Ndërkaq, “dyshimet fillestare për të vdekur sipas autoriteteve kroate e bëjnë shumë të rëndë gjithë situatën”.

Kështu ka thënë deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore