Kosova

Liberalizimi i vizave të enjten sërish në agjendën e Këshillit të Ministrave të BE-së


Ilustrim/Albanian Post

Çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën të enjten pritet të jetë në rend të ditës së Këshillit të Ministrave të Bashkimit Evropian për Çështje të Drejtësisë dhe të Punëve të Brendshme. Sipas agjendës së publikuar të mërkurën, pritet miratimi i qëndrimit të Këshillit të BE-së në lexim të parë.

Gjatë leximit të parë, Këshilli i BE-së mund të vendosë të pranojë qëndrimin e Parlamentit Europian, me ç’rast akti legjislativ miratohet, ose mund të ndryshojë qëndrimin e Parlamentit Evropian dhe ta kthejë propozimin në parlament për lexim të dytë.

Ndryshe, në takimin e fundit të Komitetit të Përhershëm të Përfaqësuesve të Shteteve Anëtare të BE-së (COREPER), propozimi për liberalizimin e vizave për Kosovën ishte miratuar pa diskutim, pasi me propozimin që liberalizimi i vizave të hyjë në fuqi më 1 janar të vitit 2024, vendet anëtare të BE-së ishin pajtuar më 22 nëntor.

Paraprakisht, Republika Çeke – e cila udhëhoqi presidencën gjashtëmujore të BE-së – kërkoi që liberalizimi i vizave për Kosovën të fuqizohet më 1 dhjetor të vitit 2023, por Spanja – njëra prej pesë vendeve të BE-së që nuk e njeh ende pavarësinë e Kosovës – nuk u pajtua.

Gjatë takimeve të Grupit Punues për vizat, të mbajtura në muajin tetor dhe nëntor, vendet anëtare ranë dakord për projekt-propozimin, i cili përfshinte “kushtëzimin francez”, që liberalizim i vizave të lidhej me funksionalizimin e Sistemit Evropian të Informacionit dhe Autorizimit të Udhëtimit (ETIAS).

Kosova ka nisur rrugëtimin e saj drejt liberalizimit të vizave para më shumë se 10 vitesh. Premtimet e shpeshta të politikanëve kosovarë se liberalizimi i vizave do të ndodhte “shumë shpejt”, gazi lotsjellës në Kuvendin e Kosovës dhe protestat masive në Prishtinë ishin vetëm disa nga zhvillimet kryesore që karakterizuan procesin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore