Lajme

Lehtësimi i sanksioneve ndaj Venezuelës për të reduktuar varësinë nga nafta ruse


Administrata e presidentit amerikan Joe Biden po sheh mundësinë e lehtësimit të sanksioneve ndaj Venezuelës në mënyrë që vendi të fillojë të prodhojë më shumë naftë dhe ta shesë atë në tregun ndërkombëtar.

Masa synon reduktimin e varësisë globale nga nafta ruse në mes të pushtimit të Rusisë në Ukrainë dhe izolimin e Rusisë nga një prej aleatëve të saj kryesorë në Amerikën e Jugut.

Zyrtarët e administratës së Biden-it mësohet se janë dërguar në Karakas gjatë fundjavës për bisedime mbi këtë çështje.

Mes tyre përfshihej drejtori i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Juan Gonzalez dhe i dërguari i posaçëm presidencial i SHBA-ve për çështjet e pengjeve, Roger Carstens.

Pjesë e diskutimeve ishte edhe çështja e shtetasve amerikanë të ndaluar aktualisht në vend.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore