Kosova

Latifi në SHBA kërkon mbështetje për krijimin e Qendrave të Ekselencës në Kosovë


Që kur është zgjedhur Ministër i Ministrisë së Shëndetësisë në Kosovë, Rifat Latifi të shpeshta i kishte vizitat në SHBA.

Për këto, shpesh gjendej në mes të akuzave se “më shumë po qëndron atje, sesa në ministri”.

Mjeku i rikthyer nga SHBA, për të shërbyer si menaxher i Ministrisë së Shëndetësisë, aktualisht është duke qëndruar në New York, siç thuhet në njoftimin e MSH-së, për të kërkuar ndihmë për implementim e Qendrave të Ekselencës.

Latifi, ka shpalosur planin e tij të transformimit të Shëndetësisë së Kosovës në Valhalla- Nju York, në konferencën shkencore të 19-të në Louis R.M. Del Guercio, ku më parë Dr.Latifi ishte kryeshef i Departmenentit të Kirugjisë, thuhet në njoftim.

​Në këtë konferencë, ministri Latifi, mbati ligjëratën kryesore të këtij takimi vjetor shkencor me titull “Zbutja e pabarazisë shëndetësore dhe transformimi i shëndetësisë së Kosovës, përmes Qendrave Klinike të Ekselencës”.

​Gjatë këtij prezantimi, thuhet në njoftim, ministri Latifi, foli për sfidat e rindërtimit të sistemit shëndetësor të një vendi në tranzicion.

Ai tha para të pranishmëve se “ri-ndërtimi i shëndetësisë së Kosovës duhet të bëhet në bazë të dhënave shkencore dhe kërkesave klinike si dhe në bazë të gjetjeve studimore, analizave të shumta të bëra nga agjenci të ndryshme studimi, përfshirës edhe ato ndërkombëtare”, duke përfshirë edhe studimin e iniciuar nga vet ministri Latifi me lidershipin e shëndetësisë në Kosovë.

​Të pranishmit në këtë konferencë treguan interes për shpalosjen para tyre të përvojës si ministër i Shëndetësisë së Kosovës dhe planifikimin për rindërtimin e një sistemi shëndetësor të bazuar në shtatë shtylla dhe 13 qendra të Ekselencës.

​Më 9 maj spitalin Ushtarak Walter Reed dhe Qendrën e Simulimit të Armatës Amerikane në Uashington.

​Po ashtu, ai do të marr pjesë edhe në darkën për festimin e punëtorëve shëndetësor, të organizuar nga “Project Hope”, më pas do të udhëtojë për në Universitetin e Arizonës për të takuar udhëheqësit e Kolegjit të Mjekësisë dhe Sistemit Spitalor Banner Health.

​“Të gjitha këto takime, do të bëhen me qëllim të kërkimit të bashkëpunimit për implementim e Qendrave të Ekselencës, të parapara me programin gjithëpërfshirës të transformimit të sistemit shëndetësor të Kosovës”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore