Kosova

Lajçaku njofton diplomatin polak për zhvillimet në rajon dhe gjendjen në dialog


Mirosllav Lajçak dhe Marek Prawda

Emisari Special i Bashkimit Evropian (BE) për dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, takoi të martën në Varshavë zëvendësministrin e Punëve të Jashtme të Polonisë, Marek Prawda, të cilin tha se e njoftoi për gjendjen aktuale në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

“Unë pata një takim të shkëlqyer me nënsekretarin polak të shtetit, Marek Prawda, në Varshavë. Ofrova një pasqyrë të zhvillimeve më të fundit në rajon dhe një përditësim mbi gjendjen aktuale në dialog. Mirënjohës për interesin e Polonisë në Ballkanin Perëndimor dhe mbështetjen mbi përpjekjet e BE-së”.

Në forumin “BE-ja takon Ballkanin” që sivjet u mbajt në Sofje të Bullgarisë, diplomati sllovak theksoi të ketë shpresuar që marrëveshja Kosovë-Serbi do të zbatohet, porse tani mendon ndryshe, veçanërisht duke parë tensionet midis palëve dhe mosgatishmërinë për të bërë kompromise: “Nuk besoj se janë të gatshme për këtë, nuk besoj se shoqëritë janë të gatshme për këtë”.

Lajçaku pritet të bëhet ambasador i BE-së në Zvicër – një lëvizje që pritet ta ngadalësojë ritmin e procesit e dialogut – ndërsa blloku përgatit poste të reja diplomatike në prag të zgjedhjeve evropiane – cikli i ri elektoral për ulëset e Parlamentit Evropian (PE) në qershor nga i cili varet përbërja e Komisionit Evropian (KE) pritet të ndikojë edhe në Ballkanin Perëndimor.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore