Kosova

Lajçaku dhe “teoria e komplotit” kundër Kosovës


Ilustrim nga Albanian Post: Miroslav Lajçak

Qëndrimi i Qeverisë së Kosovës për dështimin e raundit të ri të negociatave për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian (BE) është i qartë – Përfaqësuesi Special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, tanimë është “pozicionuar” kundër interesave të Kosovës e në favor të politikës së Serbisë.

Për këtë është i bindur kryeministri kosovar, Albin Kurti, i cili, në një konferencë për media në Prishtinë, ka flirtuar me teorinë e konspiracionit dhe komplotit. Ai ka thënë se ekziston një skenar, i hartuar nga diplomati sllovak dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, për të dëmtuar të ardhmen e Kosovës në procesin e mëtejmë të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

Kryeministri Kurti ka sugjeruar se figura kryesore që punon kundër vendit të tij është diplomati 60-vjeçar, i cili, sipas tij, ka filluar të dalë jashtë margjinave të mandatit të tij të ndërmjetësimit të procesit të dialogut Prishtinë-Beograd. Gjithashtu, sipas kreut të ekzekutivit kosovar, diplomati sllovak fshihet pas pothuajse çdo pengese dhe sëkëndejmi pas çdo dështimi në procesin dialogues.

Gjatë një konference të gjatë për media, kreu i ekzekutivit ka thënë se në takimin e fundit nën ndërmjetësimin e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Josep Borrell, ai është “eskpozuar” para një skenari që, sipas mendimit të tij, diplomati sllovak e kishte “dizajnuar kohë më parë” për të favorizuar pozitën negociuese të Beogradit në dëm të Prishtinës.

Për mungesën e rezultateve në funksion të zbatimit të Marrëveshjes Bazë nga takimi i së enjtes mes kryeministrit të Kosovës dhe presidentit të Serbisë, shefi i diplomacisë evropiane, ka fajësuar kreun e ekzekutivit kosovar për, siç ka thënë, mosgatishmërinë e tij për të pranuar propozimin e BE-së për kompromis. Por kjo është hedhur poshtë nga kryeministri Kurti.

“Më 14 shtator ka pasur një pozicionim të qartë të ndërmjetësit kundër Kosovës në përgjithësi dhe kundër marrëveshjes në përgjithësi… Ose do zbatojmë marrëveshjen bazike të plotë ose nuk mund të zbatojmë atë që e dëshiron Serbia. Kjo logjikë ka vdekur”, ka thënë kryeministri Kurti, derisa ka akuzuar ndërmjetësin për një “skenar alternativ, ku veç gjysma e marrëveshjes zbatohet”.

Megjithatë shefi i qeverisë kosovare e ka ndarë ndërmjetësin evropian nga pjesa tjetër e BE-së, duke vlerësuar se nuk ka qenë BE-ja ajo që ka pasur koordnimin me presidentin serb, por vetëm diplomati sllovak, i cili për një kohë të gjatë është kritikuar për qasjen e tij të pabalancuar në procesin e dialogut dhe jo vetëm nga institucionet kosovare, por edhe nga diplomatë perëndimorë.

“Paradoksalisht Serbia e ka bërë përfaqësues Lajçakun. Ai ka propozuar të gjejë një mes midis propozimeve të Kosovës dhe kushtëzimeve të Serbisë. Duhet të flasim me BE-në për emisarin evropian në lidhje me këtë mënyrë jo neutrale dhe aspak korrekte”, ka thënë ndër të tjera kryeministri Kurti, derisa ka shtuar se “sa më konstruktiv e kreativ unë, aq më nervozë e të padrejtë ata”.

E me dështimin e raundit të ri të negociatave në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, janë rritur edhe gjasat që BE-ja t’i ashpërsojë edhe më tej “masat ndëshkuese” ndaj palës kosovare, duke marrë parasysh se për “kolapsin e negociatave”, këtë herë përgjegjëse është konsideruar ekskluzivisht Qeveria e Kosovës nën kryeministrin Kurti.

“Ky deformim i procesit të zbatimit është i shoqëruar edhe me një padrejtësi që për bindjen time është fondamentale. Sa herë ka shkelje të marrëveshjes do të duhej që arbitri t’i bie pipit. Cili është kuptimi që ne merremi vesh për një tekst e pastaj ata me deklarata e shkelin marrëveshjen e arbitri nuk reagon”, ka shprehur më tej frustrimin e tij kreu i ekzekutivit kosovar.

Ai ka shprehur edhe bindjen e tij të thellë se përfaqësuesi evropian jo veç që ka punuar në favor të Serbisë e në dëm të Kosovës, por ai ka fshehur edhe dokumente nga institucionet e BE-së, përkatësisht nga shefi i tij. E kryeministri kosovar ka njoftuar se për krejt këtë “katrahurë” ka informuar Shtetet e Bashkuara, Gjermaninë, Francën dhe Italinë.

E shpresa që nxjerr kryet për të marrë paksa frymë, posaçërisht pas tensioneve në pjesën verioriore të Kosovës dhe bllokimit të ecurisë së procesit të dialogut që i mbajti të zënë diplomatët perëndimorë përgjatë gjithë kësaj kohe, duke se po fundoset përsëri e zhgënjyer, duke zbehur edhe perspektivën e normalizimit të marrëdhënive mes Kosovës e Serbisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore